Vriten të paktën 30 palestinezë gjersa po prisnin të merrnin ndihma në Gaza

Të paktën 30 palestinezë që po prisnin ndihma humanitare në veri të Gazës u vranë të mërkurën gjatë sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj civilëve të mbledhur.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile në Gaza, Mahmud Bassal, tha se të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 300 janë plagosur në sulmin e ushtrisë izraelite.

Sulmet e përditshme të ushtrisë izraelite ndaj qendrave ku shpërndahen ndihma humanitare justifikohen me pretendimet për shitje të ndihmave dhe vjedhje nga ana e Hamasit, për të cilat pala izraelite nuk ka paraqitur prova.

Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, njoftoi se katër ditë pas fillimit të “pauzave taktike” të shpallura nga Izraeli, njerëzit ende po vdesin nga uria dhe kequshqyerja, dhe ka edhe viktima mes atyre që kërkojnë ndihmë,

Nga ana tjetër, Mohammed Abu Salmiya, drejtor i spitalit Al-Shifa në Gaza, tha për mediat arabe se në institucionin e tij kanë mbërritur 35 të plagosur pasi ushtria izraelite hapi zjarr rreth tre kilometra në jugperëndim të kalimit kufitar Zikim.

Në mes të krizës humanitare dhe ngecjes së negociatave për armëpushim, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pritet të mbërrijë të enjten në Izrael.

Witkoff ka qenë i përfshirë në negociatat indirekte për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, të cilat u ndërprenë javën e kaluar kur Izraeli dhe SHBA tërhoqën delegacionet e tyre nga Doha.

Vizita e tij vjen pas njoftimit të Kanadasë, e cila duke ndjekur shembullin e Francës dhe Britanisë së Madhe, ka shpallur planet për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator.

Kategoritë
BotaLajme