Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e kryeparlamentarit nga votimi i hapur në atë të mbyllur nuk përbën shkelje kushtetuese.
Kryeziu, megjithatë, thotë se, procedura e zgjedhjes së kryeparlamentarit duhet të vazhdohet me votim të hapur ashtu siç ka filluar.
Ndryshe, të enjten deputetët dështuan për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar për seancën e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të shtunën.
Seanca do të mbahet në orën 10:00, ku LVV si parti e parë në zgjedhje do të provojë përsëri të zgjedh kryetaren e Kuvendit.
Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.
Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.