Në episodin e nëntëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është politikani shumëvjeçar Azem Vllasi, me të cilin diskutohet për situatën e Kosovës në Jugosllavi, përpjekjet për të pasur shtet e çështje të tjera. Është pjesa e parë e rrëfimit të Vllasit, nga tri sosh
Vllasi për “Librin e kaltër”: Serbia u ndje e dëmtuar nga fuqizimi i Kosovës pas 1974-s
Në një diskutim të fundit në podcastin PIKË, Azem Vllasi, politikan shumëvjeçar, ka rrëfer për tensionet politike mes Serbisë dhe Kosovës pas miratimit të Kushtetutës Federale të vitit 1974.
Vllasi shpjegon se pas këtij viti, Serbia u ndje e dëmtuar nga fuqizimi i kompetencave të dy krahinave autonome të Kosovës dhe Vojvodinës.
Si përgjigje ndaj pakënaqësive, në Serbi u krijua një ekip juristësh që përgatitën një analizë të brendshme, e njohur si “Libri i kaltër”.
Ai përshkruan atmosferën në Beograd, ku Tito priti përfaqësuesit e Serbisë dhe dy krahinave, duke i këshilluar të zgjidhnin mosmarrëveshjet me dialog dhe marrëveshje politike.
“Hajde, ma mirë, nëse keni naj problem në raportet e juaja, zgjidhni me biseda politike, me marrëveshje. Ma mirë merruni vesh, sesa të përgojoheni”, citon Vllasi të ketë thënë Tito në takim.
Vllasi thekson se ndërsa pakënaqësitë serbe mbetën të fshehta për publikun e gjerë, ato u pritën për zbatim pas epokës së Titos, duke shënuar një periudhë të tensionuar, por edhe të koordinuar brenda strukturave të ish-Jugosllavisë.
Vllasi: Tito kishte pranuar të gjitha kërkesat substanciale të Kosovës, përveç emrit Republikë
Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani Azem Vllasi foli për angazhimin e udhëheqjes kosovare në vitet ’70 për ta bërë Kosovën Republikë brenda federatës jugosllave.
Publicisti Surroi përmendi katër figura kyçe shqiptare kishin ngritur çështjen e Republikës drejtpërdrejt me Josip Broz Titon: Fadil Hoxha, Veli Deva, Mahmut Bakalli dhe vetë Vllasin, si përfaqësues i Rinisë së Kosovës.
“Unë në vitin 1973, si jurist i ri dhe kryetar i Rinisë së Kosovës, u përfshiva në debatet për reformat kushtetuese që po zhvilloheshin në nivel federal. Debati kryesor ishte: sa pushtet të mbetet në federatë dhe sa t’i kalojë njësive përbërëse. Të gjitha njësitë po kërkonin më shumë kompetenca, edhe Vojvodina, që donte pavarësi nga Serbia”, rrëfeu Vllasi.
Ai zbuloi se edhe pse ideja e një Republike të Kosovës nuk ishte pranuar formalisht për shkak të ndjeshmërisë me Serbinë, Tita kishte pranuar të gjitha kërkesat substanciale të Kosovës.
“Tita tha: merrni të gjitha kompetencat, qeverisni vetë, pa u përzi Serbia. Me Serbinë do ketë vetëm marrëveshje konsensuale, jo imponim. Por mos e prekni emrin ‘Republikë’, se prishen marrëdhëniet me Serbinë”, tregoi Vllasi.
Ai ndau edhe një episod personal nga vizita në Brione në vitin 1975, ku në një atmosferë të qetë me Titon dhe udhëheqësit e tjerë, kishte refuzuar një cigare por pranuar një gotë uiski Chivas Regal, duke e kujtuar si një moment simbolik të asaj kohe.
Vllasi: Shqiptarët e panë fundin e Luftës së Dytë Botërore si fillim të ditëve të zeza
Politikani shumëvjeçar Azem Vllasi përshkruan me detaje si ngjarjet e Konferencës së Bujanit, përplasja me forcat komuniste jugosllave dhe tragjeditë si ajo e Tivarit u kthyen në pika kthesë me pasoja të rënda historike për shqiptarët e Kosovës, në një bisedë në podcastin PIKË me Veton Surroin.
Sipas Vllasit, Konferenca e Bujanit e mbajtur në fund të vitit 1943 dhe fillim të 1944-s, pati një deklarim të qartë për të ardhmen e Kosovës, ku shqiptarët shprehën dëshirën që pas çlirimit nga fashizmi, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo kërkesë, sipas tij, u mbështet në besimin se marrëdhëniet e ngushta mes Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe asaj të Shqipërisë do të garantonin zbatimin e kësaj vullneti.
Por, siç thekson Vllasi, realiteti pas vitit 1945 ishte krejtësisht ndryshe. Një nga ngjarjet më tragjike ishte përplasja me forcat jugosllave në frontin e Sremit. Shaban Polluzha, së bashku me rreth 1500 luftëtarë shqiptarë, refuzuan të shkonin në këtë front, pasi u përballën me thirrjet e popullit që kërkonte mbrojtje nga ndjekjet dhe represioni i brigadave jugosllave. Si pasojë, brigada e Polluzhës u shpall rebele dhe filluan luftime të përgjakshme në Drenicë, ku sipas burimeve të ndryshme, u vranë rreth 3000 veta.
Një tjetër tragjedi që përmend Vllasi është Masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë të mobilizuar, të çarmatosur dhe të lodhur nga marshimi përmes Shqipërisë drejt frontit të Adriatikut, u masakruan nga oficerë serbo-malazezë në portin e Tivarit.
“Edhe shqiptarët e shohin që Lufta e Dytë Botërore po vjen kah fundi, po për neve ditë t’zeza”, u shpreh Vllasi.
Vllasi flet për rolin kyç të Veli Devës në avancimin kushtetues të Kosovës
Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani dhe ish-i burgosuri politik Azem Vllasi foli për periudhën e pas-rënies së Aleksandar Rankoviqit dhe ndikimin e saj në transformimet kushtetuese në Kosovë.
Sipas Vllasit, ky ishte moment vendimtar që shënoi fillimin e një epoke të re politike dhe juridike për Kosovën.
Vllasi vlerësoi rolin vendimtar të Veli Devës në udhëheqjen e proceseve për avancimin e autonomisë së Kosovës, duke theksuar se pa përkushtimin e tij, deformimet e UDB-së mund të ishin kaluar pa u trajtuar seriozisht.
“Ka qenë fat për Kosovën që Veli Deva ishte në krye të partisë në atë kohë”, ka thënë Vllasi, duke përmendur edhe emra të tjerë si Fadil Hoxha, Xhavid Nimani dhe Mahmut Bakalli si pjesë të një brezi kuadrosh që e shtynë përpara kauzën e Kosovës.
Nga ana e tij, Surroi rikujtoi fushatën publike të organizuar përmes gazetës “Rilindja” dhe mbledhjeve të Lidhjes Socialiste, ku qytetarët flisnin hapur për abuzimet e periudhës Rankoviq. Kjo, sipas tij, shënonte një qasje të mençur dhe dokumentuese që ndikoi në ndërgjegjësimin shoqëror.
Vllasi shtoi se me fillimin e reformave të mëdha pas vitit 1966, u bë edhe transformimi i shërbimeve të sigurimit dhe se që nga ajo kohë nuk ekzistonte më UDB-a, por struktura të reja sigurie në nivel federal dhe krahinor.
Proceset përfunduan me Kushtetutën e vitit 1974, që sipas Vllasit, e shndërroi Jugosllavinë në një konfederatë ku Kosova fitoi statusin e saj më të avancuar historikisht.