Vlerësohet se Qeveria Kurti ka dështuar në politikën e jashtme dhe se Kosova është izoluar ndërkombëtarisht

Diplomat dhe analistë politik kanë vlerësuar se mandati katërvjeçar i Qeverisë “Kurti II” është karakterizuar nga stagnim në politikën e jashtme dhe përkeqësim i raporteve të Kosovës me aleatët kryesorë ndërkombëtarë. Ata kanë thënë se Kosova ka humbur kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se mungesa e koordinimit institucional ka ndikuar në izolimin e saj politik, raporton Ekonomia Online.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka deklaruar se Qeveria Kurti ka dështuar të ruajë marrëdhënie të mira me partnerët kryesorë ndërkombëtarë dhe se Kosova po përballet me një krizë të politikës së jashtme.

Ai ka kërkuar një rikalibrim të politikës së jashtme dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve.

“Në fakt qeveria Kurti ka ardhur me pritje të mëdha për të bërë disa gjëra. Unë mendoj që qeveria e re duhet ta rikalibrojë situatën dhe ta rishohë prioritetin e saj në politikën e jashtme, sepse mund ta gjejmë fajtorin kush është, por në fakt Kosova nuk ka raporte të mira me BE-në dhe natyrisht edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka raportet e lënduara, me Shqipërinë po ashtu janë raportet jo shumë të mira dhe kjo tregon që diçka nuk ka ecur në rrafshin e politikës së jashtme. Por këtu nuk është vetëm Ministria e Jashtme, është Presidenca, Kryeministria, janë shumë aktorë,” tha Ukshini.

Sipas tij, institucionet duhet të unifikojnë qëndrimet dhe të përqendrohen në objektiva konkrete në politikën e jashtme.

“Mendoj që gjitha këto duhet të ulen dhe të kenë një politikë më të koordinuar. Misionet diplomatike nuk duhet të shndërrohen për rregullimin e agjendave të x personaliteteve, por duhet të kenë një plan konkret për të arritur diçka. Krejt investimi i kësaj qeverie ka qenë te Këshilli i Evropës dhe ajo nuk u bë,” theksoi Ukshini.

Ai ka shtuar se Kosova nuk i ka përmbushur zotimet që ka dhënë ndaj partnerëve evropianë, përfshirë dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Janë disa detyrime që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, të cilat i përmendi edhe Danimarka, që Kosova duhet ta bëjë Asociacionin, ndërkaq Serbia të mos e pengojë Kosovën në organizata ndërkombëtare. Franca, Gjermania dhe Italia patën kërkuar që Kosova ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që t’i hapet rruga Kosovës për anëtarësim, pastaj erdhi letra e konfirmimit e kryeministrit Kurti, ish-kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca dhe presidentes që marrin zotime vullnetare që do ta çojnë dhe do ta themelojnë Asociacionin, por deri më sot nuk është bërë. Fakti që është një letër e tillë që është dhënë garanci nga Kurti, Konjufca dhe Osmani, të gjithë kundërshtarë të Asociacionit, por një detyrim që e kanë dhënë publik dhe me letër kjo e bën që edhe Këshilli i Evropës të mos lëvizë pa u përmbushur zotimet që i kanë dhënë krerët e saj institucional,” tha Ukshini.

Ndërkohë, analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II, Kosova ka përjetuar një stagnim të plotë në arenën ndërkombëtare dhe është përballur me dëmtim të thellë të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

“Gjatë mandatit të qeverisë Kurti II, Kosova ka pasur një stagnim të plotë në arenën ndërkombëtare, ka pasur një dëmtim të thellë të raporteve me aleatët tanë më të mëdhenj, me SHBA dhe BE. Ka pasur një izolim nga arena ndërkombëtare edhe ka pasur një humbje të imazhit si një partnere normale. Të gjitha këto kanë qenë të lidhura me dialogun, me mosgatishmërinë e Kurtit që të ballafaqohet me sfidën e dialogut e cila është e pakapërcyeshme dhe në raport me qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës,” tha Muhaxhiri.

Sipas tij, mungesa e progresit në dialog do të thellojë më tej izolimin e vendit.

“Pa ecuri në dialog vetëm sa do të rritet izolimi i Kosovës, prandaj edhe vetë fakti që Kosova gjatë këtyre katër viteve ka pasur një mbrapakthim të theksuar si asnjëherë më parë, e dëshmon mungesën e vizionit, mungesën e vetëdijesimit për atë se çka i duhet Kosovës që të jetë partnere normale e aleatëve ndërkombëtarë”, përfundoi ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi