Për vdekjen e 4-vjeçares në QKUK, ka reaguar edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka thënë se cilido që është përgjegjës në sistemin shëndetësor për këtë rast, duhet sa më shpejt të ketë masa, shkruan Reporteri.net.
Ai ka kërkuar nga organet e rendit që rasti të hetohet në detaje.
Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve.
Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike.
Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.
I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, në një reagim ka bërë të ditur se katërvjeçarja nga Gjakova, ka vdekur si pasojë e Sepsës, infeksion i shkallës së lartë.
“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, thuhet në njoftimin e QKUK-së dhe ShSKUK-së.