Lëvizja Vetëvendosje e publikoi në faqen e saj në Faceboook deklaratën e ministrit në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci për përfshirjen e FSK-së në aksionin për kërkim të trupit të mërgimtarit në Ujman, duke e titulluar “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”.
“Njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile.
Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka thënë Maqedonci.