Nënat palestineze po shprehin lodhjen dhe dëshpërimin e tyre ndërsa Izraeli vazhdon të pengojë hyrjen e furnizimeve thelbësore në enklavën e rrethuar
Palestinezët përpiqeshin të merrnin porcione të vogla ushqimi bamirësie të shpërndara në rrugën Al-Wahda në qendër të qytetit të Gazës, mes një bllokade të vazhdueshme që e ka çuar jetën e përditshme në një pikë kthese, raporton Anadolu.
Nënat palestineze po shprehin lodhjen dhe dëshpërimin e tyre ndërsa Izraeli vazhdon të pengojë hyrjen e furnizimeve thelbësore në enklavën e rrethuar.
“Që nga ora 07:00 e mëngjesit, kemi pritur në radhë për vakte bamirësie deri në orën 16:00 ose 17:00 të pasdites”, përshkroi Hanadi Ubayd, një nënë palestineze në Gaza, situatën e tmerrshme me të cilën përballeshin.
Ubajdi foli për përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të ngushëlluar fëmijët e tyre me premtime të rreme.
“Unë jam nënë. Fëmijët e mi më pyesin: ‘Nënë, kur do të kemi bukë?’ Nuk ka fare. Çdo ditë themi ‘Nesër, pasnesër, pas një ore…’, por të gjitha janë premtime boshe”, tha Ubayd.
Lina al-Zarbatli, një nënë tjetër nga Gaza, kërkoi ndihmë nga bota, duke vënë në dukje se ata duan vetëm gjërat bazike.
“Kjo është e gjitha që duam, ushqim dhe ujë për fëmijët tanë. Kjo është ajo që kërkojmë. Pak ujë… pak dinjitet”, tha ajo.
Burime shëndetësore thanë se qindra njerëz të të gjitha moshave kanë mbërritur në spitalet në të gjithë Gazën duke u ankuar për uri të rëndë dhe kequshqyerje, dhe se 17.000 fëmijë vuajnë nga kequshqyerja e rëndë.
Numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës, i cili është nën sulmin dhe bllokadën izraelite, është rritur në të paktën 88, ku 78 prej të cilëve janë fëmijë.
Rripi i Gazës, nën sulmin izraelit dhe një rrethim të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Të paktën 59.029 palestinezë janë vrarë dhe 142.135 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.