‘Vetëm hoteli ynë mbeti në këmbë’: Ekipi i mundjes i Kosovës i shpëton tërmetit në Turqi

‘Vetëm hoteli ynë mbeti në këmbë’: Ekipi i mundjes i Kosovës i shpëton tërmetit në Turqi

Në kohën kur ishte dashur të niseshin për në Kosovë, pjesëtarët e ekipit të mundjes të Kosovës u detyruan të lënë gjithçka prapa vetes në hotelin e tyre në Kahramanmarash të Turqisë, për t’i shpëtuar tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se mundësit e rinj të Kosovës dhe përfaqësuesit e Federatës janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Pak në fillim kemi qenë të traumatizuar. Tani e kemi tejkaluar pak se ka qenë tmerruese, e papërshkrueshme. Krejt objektet rreth nesh janë shkatërruar, vetëm hoteli ku ishim ne, mbeti në këmbë”, thotë Fazlija.

Fazlija thotë se mundësit e Kosovës i ndihmuan autoritetet në shpëtimin e disa personave të ngujuar, pasi kishin dalë vetë nga hoteli i tyre.

“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi. Pastaj, policia na falënderoi dhe na preferoi të largoheshim dhe u larguam”, rrëfen Fazlija.

I gjithë ekipi ishte i vendosur në tri dhoma të ndryshme në hotelin e tyre në Kahramanmarash dhe Fazlija thotë se ata ishin bashkuar shpejt në korridor, pasi u zgjuan nga zhurmat e shkaktuara nga tërmeti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova