Gjykata Komerciale e Kosovës ka njoftuar dje se ka anuluar pjesërisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe të zbatuar në kundërshtim me procedurat ligjore.
Sipas aktgjykimit KA.nr.301/25, Gjykata ka anuluar pikën IV të vendimit të ZRRE-së nr.275/24 të datës 05.04.2024 dhe gjithashtu ka anuluar tërësisht njoftimin e datës 12.03.2025, që obligonte bizneset me mbi 50 punëtorë apo qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalonin në tregun e hapur nga 1 qershori. Gjykata theksoi se vendimi është i menjëhershëm dhe me efekt të drejtpërdrejtë juridik, duke pezulluar zbatimin deri në një vendim përfundimtar.
Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mohuar që ky vendim gjyqësor e anulon tërësisht liberalizimin e tregut.
Sipas burimeve të Kosovapress brenda ZRRE-së, vendimi i Gjykatës është për një rast të veçantë dhe nuk ka efekt të përgjithshëm ndaj të gjitha bizneseve. ZRRE rithekson se vendimi i saj është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbetet në fuqi për të gjitha subjektet që nuk janë përfshirë në këtë rast specifik gjyqësor.
Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Kurse në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.