Vendim historik i Seulit: Hiqen altoparlantët që transmetonin mesazhe për qytetarët e Koresë së Veriut

Autoritetet e Koresë së Jugut nisën të hënën heqjen e altoparlantëve që transmetonin mesazhe anti-verikoreane përgjatë kufirit midis dy vendeve, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Seul.

Pak pasi mori detyrën në qershor, administrata e presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, kishte ndërprerë transmetimet propagandistike që kritikonin regjimin e Koresë së Veriut, me synimin për të ringjallur dialogun e ndërprerë me fqinjët veriorë.

Megjithatë, Koreja e Veriut së fundmi i refuzoi këto përpjekje, duke deklaruar se nuk ka interes për bisedime me Korenë e Jugut.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, heqja e altoparlantëve është “një masë praktike për uljen e tensioneve mes dy vendeve”.

Fotografitë e shpërndara nga ministria tregojnë ushtarë që çaktivizojnë altoparlantët, të vendosur njëri pas tjetrit si mur, dhe i largojnë ata nga pozicionet kufitare.

Dy vendet janë teknikisht ende në gjendje lufte, pasi Lufta e Koresë (1950–1953) përfundoi me armëpushim, ndërsa marrëdhëniet janë përkeqësuar vitet e fundit.

Transmetimet propagandistike me altoparlantë përgjatë kufirit janë përdorur nga të dyja palët, në varësi të ngritjeve dhe uljeve të tensioneve mes tyre.

Në vitin 2018, ish-presidenti Moon Jae-in i hoqi këta altoparlantë pasi administrata e tij ra dakord të ndalonte të gjitha veprimet armiqësore që mund të shkaktonin tensione ushtarake.

Por vitin e kaluar, ish-presidenti konservator Yoon Suk Yeol i rifilloi transmetimet propagandistike dhe muzikën K-pop, si përgjigje ndaj dërgimit nga Koreja e Veriut të balonave me mbeturina drejt jugut, në një periudhë tensioni të shtuar.

Që nga ndërprerja e transmetimeve nga Seuli në qershor, duket se edhe Koreja e Veriut ka ndalur transmetimet e saj, të cilat prej muajsh shqetësonin banorët e zonës kufitare jugkoreane, sipas zyrtarëve të Seulit.

Megjithatë, Kim Yo Jong, motra e fuqishme e liderit verikorean Kim Jong Un, së fundmi deklaroi se vendimi i Koresë së Jugut për të ndërprerë transmetimet “nuk është një veprim që meriton falënderim”.

Kategoritë
BotaLajme