Sipas zyrtarit, ambasadorët e morën parasysh propozimin dhe presidenca daneze e Këshillit të BE-së do të “merret me çështjen me qëllim që të zbulojë nëse ka mbështetje të mjaftueshme për të ecur përpara”
Sipas një zyrtari nga Bashkimit Evropian (BE), vendet anëtare të bllokut evropian kanë filluar diskutimet fillestare mbi një propozim nga Komisioni Evropian për të pezulluar pjesërisht pjesëmarrjen e Izraelit në programin e kërkimit dhe inovacionit ‘Horizon Europe’.
Zyrtari i BE-së për Anadolu tha se propozimi u paraqit zyrtarisht të hënën dhe iu dërgua Këshillit Evropian më vonë pasdite.
“Prandaj, ajo që ndodhi dje në Coreper (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm) ishte vetëm një prezantim nga Komisioni Evropian dhe një shkëmbim pikëpamjesh midis vendeve anëtare. Asnjë votim apo miratim nuk ishte parashikuar të ndodhte”, tha zyrtari.
Sipas zyrtarit, ambasadorët e morën parasysh propozimin dhe presidenca daneze e Këshillit të BE-së do të “merret me çështjen me qëllim që të zbulojë nëse ka mbështetje të mjaftueshme për të ecur përpara”.
Zyrtari nuk pranoi të komentojë mbi qëndrimet e vendeve anëtare individuale.
Propozimi për pezullim kërkon miratimin nga një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare para se të zbatohet.
Izraeli u bashkua me programin ‘Horizon Europe’ si një vend i asociuar në vitin 2021, duke i mundësuar atij të marrë pjesë në program me kushte të barabarta me vendet anëtare të BE-së.
Programi ‘Horizon Europe’ është platforma kryesore e kërkimit dhe inovacionit të BE-së, që synon nxitjen e rritjes ekonomike, zhvillimin teknologjik dhe krijimin e vendeve të punës në të gjithë bllokun evropian dhe vendet partnere të tij.
Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, e cila hyri në fuqi në vitin 2000, ofron kornizën ligjore për bashkëpunim politik, shkencor, kulturor dhe ekonomik midis dy palëve.