Vdes Stella Rimington, gruaja e parë në krye të shërbimit britanik të inteligjencës MI5

Stella Rimington, gruaja e parë që ka drejtuar agjencinë britanike të inteligjencës së brendshme MI5, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Lajmin e vdekjes e ka konfirmuar familja e saj.

“Ajo vdiq e rrethuar nga familja e saj e dashur dhe qentë, duke u mbajtur fort pas jetës që e donte deri në frymën e fundit,” thuhet në deklaratën familjare.

Rimington ka qenë në krye të shërbimit të sigurisë nga viti 1992 deri në 1996 dhe konsiderohet si frymëzimi për personazhin “M” të interpretuar nga aktorja Judi Dench në filmat e James Bond-it. Pas pensionimit, ajo nisi një karrierë si romanciere.

Ajo ishte drejtoresha e parë e përgjithshme e MI5 e identifikuar publikisht në momentin e emërimit. Kur mediat publikuan fotografinë e shtëpisë së saj, ajo dhe familja u detyruan të shpërnguleshin në një vend sekret për arsye sigurie.

Drejtori aktual i MI5, Sir Ken McCallum, tha se Dame Stella Rimington, si gruaja e parë e emëruar publikisht në krye të çdo agjencie inteligjence në botë, “theu barriera të kahmotshme dhe u bë shembull i dukshëm i rëndësisë së diversitetit në udhëheqje.” Ai shtoi se “udhëheqja e saj solli një epokë të re hapjeje dhe transparence mbi punën që MI5 bën për të mbajtur vendin të sigurt, një trashëgimi që vazhdon edhe sot.”

Në një deklaratë në faqen zyrtare, MI5 tha se Rimington kishte një karrierë të larmishme në shërbim, duke përfshirë role në luftën kundër subversionit, kundërzbulimit dhe kundër-terrorizmit. “MI5 kaloi nëpër një transformim të thellë gjatë udhëheqjes së saj,” përfundon njoftimi.

Kategoritë
BotaLajme