Pamjet e kapura tregojnë furnizimet me ndihma që hidhen nga avionët ushtarakë të mallrave mbi Khan Younis në pjesën jugore të enklavës palestineze
Ndihma humanitare vazhdon të hidhet nga ajri në Rripin e Gazës, i cili mbetet nën bombardimin dhe bllokadën izraelite, raporton Anadolu.
Pamjet e kapura tregojnë furnizimet me ndihma që hidhen nga avionët ushtarakë të mallrave mbi Khan Younis në pjesën jugore të enklavës palestineze.
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gazë për 18 vjet ndërsa që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha pikë kalimet, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të enklavës.
Sipas Zyrës për media të Qeverisë së Gazës, Izraeli ka lejuar vetëm 843 kamionë me ndihma që nga 27 korriku, shumë më pak se 6 mijë kamionët e nevojshëm për të përmbushur nevojat e përditshme të banorëve gjatë 10 ditëve.
Shifrat palestineze tregojnë se që nga 27 maji të paktën 1.568 nevojtarë ndihmash janë vrarë dhe 11.230 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga SHBA-ja në Gaza.
Autoritetet e Gazës akuzojnë ushtrinë izraelite për “inxhinieri kaosi dhe të urisë” në enklavë duke u përmbajtur qëllimisht nga sigurimi i kamionëve të ndihmës dhe duke i detyruar palestinezët të kërkojnë rrugë të bombarduara më parë dhe të parestauruara “të mbushura me civilë të uritur”.
Skema e ndihmës e hartuar nga Izraeli është kritikuar gjerësisht si një “kurth vdekjeprurës” për civilët e uritur.
Izraeli është përballur me zemërim në rritje për luftën shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61 mijë njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.