Selia e Shenjtë ka shprehur “angazhimin” e Vatikanit për të mbështetur të drejtat e palestinezëve dhe “aspiratat e tyre legjitime” për të jetuar me siguri dhe dinjitet “brenda një shteti të pavarur dhe sovran”
Vatikani beson se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë “e zbatueshme” dhe “e drejtë” drejt paqes së qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës, raportoi “Vatican News”, transmeton Anadolu.
Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, Kryepeshkopi Gabriele Caccia, në Konferencën e Nivelit të Lartë të OKB-së për Palestinën, ka thënë se Vatikani beson fuqishëm se një zgjidhje me dy shtete, “e bazuar në kufij të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht, është e vetmja rrugë e zbatueshme dhe e drejtë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Kryepeshkopi Caccia ka shprehur “angazhimin” e Vatikanit për të mbështetur të drejtat e palestinezëve dhe “aspiratat e tyre legjitime” për të jetuar me siguri dhe dinjitet “brenda një shteti të pavarur dhe sovran”.
Ai ka shtuar gjithashtu se Kudsi ka nevojë për një status që “ngrihet mbi ndarjet politike dhe ruan këtë identitet unik”.
Duke shprehur shqetësim për përkeqësimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës, ai ka bërë thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë, kthimin e trupave të të vdekurve, mbrojtjen e të gjithë civilëve palestinezë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe akses të pakufizuar të ndihmës humanitare”.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të thellë ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.