Reaktorët bërthamorë në centralin më të vjetër bërthamor të Evropës, Beznau në Zvicër, u mbyllën sot pasi vala e të nxehtit që ka goditur Evropën shkaktoi rritje të ndjeshme të temperaturës në lumin e afërt, i cili përdoret për ftohje.
Operatori energjetik zviceran Axpo njoftoi se të dy reaktorët janë nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit për arsye sigurie dhe mjedisore.
Problemi u shkaktua pasi lumi Aare, uji i të cilit përdoret për sistemet e ftohjes së këtij centrali bërthamor, u ngroh tepër për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta të ajrit.
“Temperatura e lumit Aare dje dhe sot ka arritur sërish në 25 gradë Celsius. Në periudhën e ardhshme nuk pritet ftohje e mjaftueshme”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë energjetike Axpo.
Për shkak se sistemet e ftohjes nuk mund të punojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt me ujë lumi kaq të ngrohtë, u mor vendimi për mbylljen e përkohshme.
Lëshimi i ujit shumë të ngrohtë nga centralet bërthamore përsëri në lumenj gjithashtu mund të jetë i dëmshëm për ekosistemin lumor dhe fondin e peshqve, gjë që përbën një arsye shtesë për protokolle të tilla gjatë valëve ekstreme të të nxehtit.
Reaktorët do të mbeten të mbyllur derisa temperaturat të ulen në kufij më të sigurt.















