– Dëshmitarët njoftuan se ushtria izraelite qëlloi me gaz lotsjellës banorët
Ushtria izraelite përdori buldozerë për të shkatërruar objektet tregtare në qytetin e Khalilit (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe izraelitët që uzurpuan tokën palestineze penguan disa palestinezë të ktheheshin në tokën e tyre.
Dëshmitarët okularë që folën me Anadolu thanë se buldozerët izraelitë shkatërruan disa objekte tregtare në zonën Ineb el-Kebire të Er-Ramadin, në jug të Khalilit, me arsyetimin e ndërtimit pa leje.
Dëshmitarët thanë se ushtria izraelite qëlloi me gaz lotsjellës banorët.
Ndërkohë, kolonët nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite penguan palestinezët që jetonin në zonën Curet el-Khalil Bedevi, të vendosur në zonën rurale Sair në veri të Khalilit, të ktheheshin në tokat e tyre.
Kryetari i bashkisë të Sairit, Musa el-Furuh, duke folur për Anadolu tha se kthimi i banorëve në tokën e tyre ishte zbatim i një vendimi të marrë nga gjykata izraelite, duke thënë: “Kolonët hebrenj penguan familjet palestineze të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe i sulmuan ata”.
“Në vend që të zbatonte urdhrin e gjykatës, ushtria e shpalli zonën një ‘zonë të mbyllur ushtarake’ dhe i pengoi banorët të hynin në tokën e tyre”, tha ai.