Ushtarët izraelitë morën ushqim të prishur, nënat e tyre erdhën dhe i nxorën nga baza

Në një bazë ushtarake izraelite pranë qytetit Eilat ndodhi një situatë e pazakontë: për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, ushtarëve u është shërbyer ushqim i prishur, e në fund reaguan nënat e tyre.

Sipas raportimit të gazetës izraelite Ynet, ndërprerjet e rrymës në bazë ndodhën gjatë një vale rekord të të nxehtit, duke i lënë ushtarët pa kondicionerë, pa ujë të ftohtë dhe madje pa ushqim të freskët.

Një nënë e një ushtareje tregoi për Ynet se trupave në bazë u ishte shërbyer ushqim i mykur dhe i prishur.

Ajo shtoi se nënat e ushtarëve të tjerë organizuan një takim me komandantët, pas të cilit u vendos që të gjithë ushtarët të liroheshin për në shtëpi për shkak të situatës aktuale.

Komandantët e kësaj baze, në disa përgjigje për Ynet, fillimisht mohuan akuzat, por më pas, pasi familjet e ushtarëve u kontaktuan me median, pranuan se kishte pasur probleme, duke thënë se “tashmë janë zgjidhur”.

Megjithatë, familjet e ushtarëve e kundërshtuan këtë, duke thënë se edhe pse ushtarëve iu dha një fundjavë e zgjatur, ata që mbetën në bazë ende përballen me ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike dhe se cilësia e ushqimit “vetëm pak është përmirësuar”.

Sipas Ynet, ushtarët tashmë janë kthyer në bazë, por problemet me klimatizimin dhe mungesën e ujit të ftohtë vazhdojnë.

 

Kategoritë
BotaLajme