UNRWA: Mbi 100 fëmijë kanë vdekur nga uria në Gazën e rrethuar

Kreu i UNRWA-së, Lazzarini tha se vdekjeve nga uria u shtohen edhe të paktën 40 mijë fëmijët e vrarë ose të plagosur nga sulmet ajrore dhe bombardimet izraelite që nga tetori i vitit 2023

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini ka bërë të ditur se më shumë se 100 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja dhe uria në Rripin e Gazës së rrethuar mes një bllokade izraelite ndaj enklavës, transmeton Anadolu.

“Të paktën 100 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja dhe uria”, tha komisari i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini. Ai theksoi se vdekjeve nga uria u shtohen edhe të paktën 40 mijë fëmijët e vrarë ose të plagosur nga sulmet ajrore dhe bombardimet izraelite që nga tetori i vitit 2023.

Lazzarini tha se të paktën 17 mijë fëmijë në Gaza janë “të pashoqëruar dhe të ndarë” nga familjet e tyre si dhe 1 milion janë thellësisht të traumatizuar dhe jashtë sistemit arsimor.

“Fëmijët janë fëmijë. Askush nuk duhet të heshtë kur fëmijët vdesin ose privohen brutalisht nga një e ardhme, kudo që të jenë këta fëmijë, përfshirë edhe në Gaza”, tha ai.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë së Gazës njoftoi se tetë persona të tjerë, përfshirë tre fëmijë, humbën jetën brenda 24 orëve të fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Kjo e çon numrin total të të vdekurve nga uria në 235, përfshirë 106 fëmijë, teksa kriza humanitare në enklavë po thellohet.

Izraeli i ka mbajtur të mbyllura vendkalimet e Gazës që nga 2 marsi, duke bllokuar pothuajse të gjithë ndihmën humanitare dhe duke e çuar territorin në uri, pavarësisht qindra kamionëve me ndihma të bllokuar në kufijtë e enklavës. Dërgesat e kufizuara të lejuara kanë qenë shumë më të ulëta se nevojat e popullsisë së uritur të enklavës.

Rripi i Gazës ka nevojë për rreth 600 kamionë me ndihma dhe 50 kamionë me karburant për çdo ditë për të përmbushur nevojat minimale humanitare të popullsisë së saj. Ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivën brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme