Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë, se garancitë e sigurisë për Kievin ka gjasa të përpunohen brenda 10 ditëve.
“Garancitë e sigurisë ka gjasa t’i ‘hapin’ partnerët tanë, dhe gjithnjë e më shumë detaje do të shfaqen. Të gjitha këto do të formalizohen disi me shkrim gjatë javës së ardhshme, deri në 10 ditë”, tha Zelenski në një konferencë për shtyp pas takimeve.
Trump të hënën i tha Zelenskit se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje që do të përfundonte luftën e Rusisë në këtë vend, edhe pse përmasat e ndihmës nuk ishin menjëherë të qarta.
“E rëndësishme është që SHBA-të të dërgojnë një sinjal të qartë se do të jenë ndër vendet që ndihmojnë në koordinim dhe gjithashtu do të jenë pjesëmarrëse në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Besoj se ky është një hap i madh përpara”, tha Zelenski.
Ai gjithashtu tha se Ukraina është e gatshme të takohet me Rusinë në “çdo format” dhe se çështjet territoriale do të diskutohen në nivel bilateral me presidentin rus Vladimir Putin – por ende nuk janë caktuar data për një takim të mundshëm me Moskën.
“Çështja e territorit është diçka që do ta lëmë mes meje dhe Putinit”, tha Zelenski.
Ai shtoi se një pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën përfshin një paketë armësh amerikane “që kryesisht përfshin avionë dhe sisteme mbrojtjeje ajrore”, ndër të tjera.
“Ekziston realisht një paketë me propozimet tona me vlerë 90 miliardë dollarë. Dhe kemi marrëveshje me presidentin amerikan që, sapo të hapet eksporti ynë, ata do të blejnë dronë ukrainas. Kjo është e rëndësishme për ne.”
Kjo paketë, në thelb, do të thotë se ukrainasit me ndihmën e fondeve të Bashkimit Evropian do të blejnë armë amerikane.