Ua ndaloi shtetasve të saj udhëtimin nëpër Kosovë, MPJ-ja rumune: Nuk është politke

Ministria e Jashtme e Rumanisë ka dhënë sqarime lidhur me mesazhet e dërguara për qytetarët rumunë ku këshillohen që të mos udhëtojnë nëpër Kosovë.

Në një përgjigje, MPJ e Rumanisë, thotë se njoftime të tilla udhëtimi lëshohen për vendet e treta (të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian) me qëllim informimin e qytetarëve rumunë që synojnë të udhëtojnë jashtë vendit.

Kjo ministri thekson se lloje të tilla njoftimesh nuk përbëjnë deklarata politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme (MAE) njofton se është lëshuar një njoftim udhëtimi për Serbinë/Kosovën, i cili mund të konsultohet në: https://www.mae.ro/travel-alerts/2919.“.

“Njoftimet e udhëtimit përfshijnë kryesisht informacione të dobishme në lidhje me situatën e sigurisë në një vend të caktuar dhe faktorët që mund të ndikojnë në sigurinë ose interesat e tyre legjitime. Njoftime të tilla nuk përbëjnë një deklaratë politike dhe nuk duhet të konsiderohen si të tilla”, thuhet në përgjigje për Klankosova.tv.

Tutje, Ministria e Jashtme rumune bëri të ditur se është duke zhvilluar një fushatë e quajtur “Një SMS mund t’ju shpëtojë jetën!”.

“(Un SMS îți poate salva viața!), nëpërmjet shërbimit të saj të njoftimeve SMS, me qëllim që t’u ofrojë rekomandime qytetarëve rumunë në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, në përputhje me detyrat e saj sipas ligjit, siç parashikohet në Nenin 4 paragrafi (1) të Ligjit Nr. 62/2019 mbi aktivitetin konsullor”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Në këtë kontekst, mesazhi SMS të cilit i referoheni informon qytetarët rumunë rreth ekzistencës së një njoftimi udhëtimi për Serbinë/Kosovën dhe u kujton atyre detajet e kontaktit të Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë.

Duke shpresuar se u kemi përgjigjur pyetjeve tuaja, dëshirojmë t’ju sigurojmë se Ministria e Punëve të Jashtme përpiqet vazhdimisht të ofrojë shërbime konsullore me cilësi të lartë dhe ne mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo informacion shtesë.

Kujtojme se Rumania është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Ditën e djeshme, Klan Kosova ka raportuar se një qytetar rumun kishte pranuar një mesazh nga Ministria e Jashtme e vendit të tij.

Sipas mesazhit të MPJ-së rumune, qytetarët udhëzohen të mos udhëtojnë nëpër Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për në Kosovë. Në situata të veçanta, ju lutemi të kontaktoni Zyrën Rumune në Prishtinë”, thuhet në këtë mesazh që e ka siguruar Klan Kosova.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi