U zbulua tentativë atentati ndaj presidentit iranian: Izraeli synoi Pezeshkianin në një sulm ajror

Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, pësoi një lëndim në këmbë pas një sulmi ajror izraelit mbi një mbledhje të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, që po zhvillohej në katet e ulëta të një ndërtese në perëndim të Teheranit, më 16 qershor, njofton agjencia e lajmeve Fars.

Sipas raportit të Fars, sulmi u krye në mëngjesin e së hënës, ndërsa në katet e poshtme po mbahej mbledhja ku merrnin pjesë presidenti Pezeshkian, kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, presidenti i drejtësisë Mohseni Ejai dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Fars thotë se gjashtë bomba ose raketa u drejtuan drejt hyrjeve e daljeve të ndërtesës për të bllokuar rrugët e evakuimit dhe për të ndërprerë qarkullimin e ajrit, duke shtuar se modeli i sulmit është kopjuar nga një operacion i planifikuar për atentatin ndaj liderit të Hezbollahut, Hasan Nasrallah, në Bejrut.

Pas shpërthimeve pati ndërprerje të rrymës në atë kat, por zyrtarët arritën të evakuoheshin përmes hyrjes së emergjencës, e cila kishte qenë përgatitur më parë.

Presidenti Pezeshkian dhe disa zyrtarë të tjerë pësuan dëmtime të lehta në këmbë gjatë evakuimit, raporton i njëjti burim.

Për shkak të saktësisë së lartë të informacionit të përdorur në sulm, autoritetet po hetojnë mundësinë që të ketë pasur tradhti nga brenda për zbulimin e të dhënave, bëhet me dije.

Megjithëkëtë, raporti nuk jep vendndodhjen e saktë të mbledhjes, por mediat kanë raportuar më parë për një sulm ajror izraelit në zonën pranë Shahrak-e Gharba në perëndim të Teheranit, më 16 qershor.

Presidenti Pezeshkian ka akuzuar më parë Izraelin për tentativë atentati ndaj tij. “Po, ata tentuan,” tha ai në një intervistë me Tucker Carlson. “Vepruan në përputhje me këtë, por nuk ia dolën.”

Kategoritë
BotaLajme