U përfol që ai dhe disa deputetë do të ‘largohen’ nga lista garuese e VV-së: Flet Eman Rrahmani

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, në një intervistë për GazetaBlic ka folur në lidhje me paralajmërimet se ai dhe një pjesë e deputetëve ‘rebel’, që e kundërshtuan në disa vendime kryeministrin Kurti, si rasti i Kodit Civil, mund të mbesin jashtë listës zgjedhore.

Ai ka theksuar se është vullnet i vetë individëve nëse duan apo jo të jenë pjesë e listës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.

“Detyrë e imja si deputet është të jap angazhimin tim, kurse kryeministri si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka të drejtat, dhe kompetencat për përcaktimin e një pjese të listës për kandidatët për deputet. Është vullneti i yni se a dëshirojmë apo nuk dëshirojmë të jemi pjesë e garës së ardhshme për deputet. Pas përfundimit të mandatit, secili deputet fillimisht duhet t’ia bëjë vetit një vlerësim, për punën që ka bërë, angazhimin, kontributin dhe cila është dobia apo dëmi të vazhdoj në mandatet tjera”, tha Rrahmani për GazetaBlic.

Ai tutje thotë se si deputet i kësaj legjislature është munduar që mandatin ta përfundoj dinjitetshëm, dhe të mos lëvizin nga ato çka i kanë premtuar qytetarëve.

Ai ka folur edhe për shkarkimet që janë bërë në Komunën e Prishtinës, nga kryetari Përparim Rama.

Sipas tij, është e drejtë e tij si kryetar i Kryeqytetit, të përzgjedh ekipën me të cilën dëshiron të vazhdoj të qeverisë.

“Qeversijet lokale, kryetarët e komuneve janë të votuar direkt nga qytetari, nuk janë të zgjedhur nga kuvendi, dhe në fund edhe merita edhe deshtimi i faturohet, kryetarit të qytetit. Janë vendime që kryetari i ka pa të arsyshme për mënyren e qeverisjes, të cilën në fund qytetari do ta vlersoj për punën apo mos punën që ka bërë. Është e drejtë e tij si kryetar i Kryeqytetit të përzgjedh ekipen me të cilën do ta vazhdoj qeverisjen për periudhën që i ka mbetur”, përfundoi Rrahmani për Gazeta Blic.

Kategoritë
LajmeVendi