Partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar me një komunikatë pas incidentit të sotëm ku një serb lokal ishte plagosur me armë zjarri në Leposavic, transmeton Gazeta Metro.
Lista Serbe në komunikatë e quan ilegal punktin e policisë së Kosovës, me pretendimin se njësitet speciale nuk duhen të jenë në veri. Ata akuzojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç e vlerësojnë ata mbështetjen e keqtrajtimit të banorëve lokalë serbë.

“Pas incidentit për krishtlindje kur një anëtar i të ashtuquajturave Forcave të Sigurisë së Kosovës shtiu ndaj fëmijëve serbë në Shtërpcë, sot njësiti special i Kurtit zhbiruan veturën në të cilën ishin dy serbë dhe në këtë rast ata qëlluan për të vrarë. Me javë të tëra po paralajmërojmë për sjelljen jo profesionale të njësiteve speciale të Kurtit të cilët me veprimtarinë e tyre po frikësojnë popullin serb e po nxisin incidente. Ne këmbëngulim që bashkësia ndërkombëtare të dënojë brutalitetin e këtyre kriminelëve, për fat të keq nuk ka përgjigje dhe nuk është për t’u habitur që sulmi i sotëm brutal është vetëm një vazhdimësi e histerisë anti serbe të regjimit në Prishtinë” thuhet në komunikatën e tyre.
Ata tutje vazhdojnë të akuzojnë se kjo heshtje e pretenduar nga ta është përkrahje dhe e lënë të nënkuptohet se kjo do t’i nxisë të reagojnë nga kësaj tiranie siç e pretendojnë. E citojnë edhe presidentin amerikan Thomas Jefferson madje.“Është e dukshme se me këtë po mbështesin ata që do të donin të nxisnin kaos në këto hapësira pa marrë parasysh vërejtjet tona. Sulmi i sotëm brutal në jetët e serbëve ka shkaktuar zemërim dhe hidhërim tek qytetarët tanë, të cilët çdo ditë e më shumë konsiderojnë se duhet të mbrohen vet nga veprimet kriminele të njësiteve speciale të Kurtit dhe të regjimit të tij diktatorial anti-serb, e në përputhje me qëndrimin e presidentit të dikurshëm amerikan Jefferson kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca është detyrim”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe në fund të komunikatës kërkon largimin e njësiteve speciale siç i quan të Kurtit, nga Veriu i Kosovës sanksionimin dhe arrestimin e atyre siç pretendojnë që provuan të vrasin dy banorët serbë lokalë sot. Ata shtojnë poashtu se prezenca e tyre e mëtejme në atë rajon do të nxiste përshkallëzim dhe kërcënim të pakthyeshëm të paqes në rajon.
Policia e Kosovës të hënën kishte njoftuar për një incident në komunën e Leposavicit ku dy persona kishin tentuar t’i shmangen kontrollit në atë pikë duke e goditur veturat e patrullës policore me veturën e tyre dhe duke rrezikuar jetët e tyre. Sipas njoftimit zyrtarët kanë shtënë në drejtim të veturës së të dyshuarve në vetëmbrojtje./gazetametro.net