Në mbledhjen e fundit, qeveria e Serbisë ka marrë vendim që Igor Popoviqi të mos ushtrojë më detyrën e ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën.
Siç raporton media në gjuhën serbe “Kossev”, në vendim nuk janë përmendur arsyet.
“Konstatohet se detyra e Igor Popoviqit si Ndihmësdrejtor i Zyrës për Kosovë ndërpritet”, raportohet të jetë thënë në vendimin e Qeverisë serbe.
Media raporton se javën e kaluar, qeveria serbe emëroi Milica Dakiqin si ndihmësdrejtoreshë të Zyrës, e cila është përgjegjëse për sektorin e çështjeve të përgjithshme dhe ligjore, që nga 9 gushti për një periudhë prej tre muajsh.
Igor Popoviq u arrestua më 18 korrik në Bërnjak për një fjalim në Hoçë të Madhe, në të cilin i quajti anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “terroristë” dhe u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Në fillim të gushtit, ai hyri në një marrëveshje pranimi fajësie, e cila më vonë u miratua nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e dënoi Popoviqin me gjashtë muaj burgim, masë e cila iu zëvendësua me gjobë në vlerë prej 3,000 eurosh, dhe me dëbim e ndalim dy-vjeçar për hyrje në Kosovë.