Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi vendet që ndajnë kufi me Rusinë që të përgatiten për “forma të ndryshme të përshkallëzimit” në javët dhe muajt e ardhshëm.
Tusk, gjatë takimit të liderëve të krahut lindor të NATO-s, theksoi se krahu lindor i Aleancës aktualisht po përballet me një situatë sigurie “shumë të paqëndrueshme”.
“Njëzëri ndajmë mendimin se situata është shumë e paqëndrueshme dhe se në javët dhe muajt e ardhshëm mund të priten forma të ndryshme të përshkallëzimit”, deklaroi Tusk në konferencën për media pas përfundimit të bisedimeve.
Përveç kryeministrit polak, në bisedime morën pjesë edhe liderë nga Rumania, shtetet baltike, si dhe anëtaret më të reja të Aleancës – Finlanda dhe Suedia.
Tusk theksoi se të gjitha vendet, përfaqësuesit e të cilave u mblodhën në Gdansk, janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj rrezikut, duke pasur parasysh se kufizohen me Rusinë, me aleaten e saj Bjellorusinë ose me Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Ai shtoi se liderët e vendeve që morën pjesë në takim treguan unitet të plotë dhe solidaritet të plotë.
“Le të jetë ky një paralajmërim për të gjithë ata që planifikojnë diçka të dëmshme kundër cilitdo prej nesh apo vendeve tona”, tha ai.
Në takim u theksua se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet kyç për sigurinë e Evropës.















