Kompania turke Aselsan ka prezantuar në Panairin e Industrisë së Mbrojtjes që po mbahet këtë vit në Stamboll një sistem të ri elektro-optik për zbulim, mbikëqyrje dhe shënjestrim.
Aselflir-600 është zhvilluar në bashkëpunim me gjigantin turk të dronëve Baykar dhe tashmë është testuar në mjetin ajror luftarak pa pilot (UCAV) Akinci, që është projektuar për lartësi të mëdha dhe kapacitete të rënda transportuese.
Pritet që së shpejti të hyjë në prodhim masiv dhe nga kompania u theksua se kjo version e tejkalon çdo model të mëparshëm si dhe të gjithë rivalët ndërkombëtarë.
Kufizimet dhe embargot ndaj sistemeve të kamerave për dronë gjatë viteve të fundit kanë nxitur Turqinë të zhvillojë alternativa vendore. Aselsan tashmë ka prezantuar familjen e sistemeve optike Aselflir, të cilat pajisin platformat ajrore brenda vendit.
Aselflir-600, i prezantuar në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) 2025 në Stamboll, mbështetet në aftësitë e pararendësve të tij si Aselflir-500 dhe Aselflir-400.
“Shokët tanë në departamentin elektro-optik të Aselsanit besuan në këtë mision. Veçanërisht pas embargos, ata thanë: ‘Mund të ndërtojmë diçka edhe më të mirë’. E shfrytëzuan mundësinë maksimalisht,” u shprehën nga kompania.
Ata gjithashtu shtuan se kamera mund të përdoret si në dronë të blinduar ashtu edhe në ata të pablinduar.
“Karakteristika më e spikatur e saj është aftësia për të filmuar imazhe të qarta nga lartësi të mëdha dhe për të shënjestruar me lazer nga distanca të gjata,” theksuan ata.