Autoritetet komunale në Bulustra (Avdira) “po planifikonin të kthenin një pjesë të varrezës në fushë sporti”, tha për AA Mustafa Trampa, myfti i minoritetit turk në Ksanti
Ndërhyrja e Türkiye-s pengoi planin e Greqisë për të ndërtuar një fushë futbolli mbi një varrezë muslimane të periudhës osmane në Thrakinë Perëndimore që u shkatërrua në fillim të këtij viti, shpjegoi një zyrtar lokal, raporton Anadolu Agency (AA).
Një varrezë që i përkiste pakicës turke në Horozlu (Petinos), një fshat në rajonin Ksanti të Thrakisë Perëndimore, u shkatërrua nga autoritetet greke më 16 mars.
Autoritetet komunale në Bulustra (Avdira) “po planifikonin të kthenin një pjesë të varrezës në fushë sporti”, tha për AA Mustafa Trampa, myfti i minoritetit turk në Ksanti.
Planet e tyre u prishën kur Ministria e Jashtme turke e mori përsipër këtë çështje, tha ai.
Ankaraja e kishte dënuar ashpër hapin, ndërsa ministria lëshoi një deklaratë më 18 mars duke dënuar shkatërrimin e varrezës dhe duke bërë thirrje që ajo të kthehej “në gjendjen e mëparshme”.
“Pas deklaratës së Türkiye-s, çështja fitoi rëndësi ndërkombëtare”, tha Trampa, duke shtuar se zyrtarët në Bulustra u detyruan “të tërhiqnin menjëherë vendimin”.
Ai kritikoi autoritetet greke për minimin e përpjekjeve të pakicës turke për të mbrojtur lokacionin historik.
“Greqia po bën gjithçka që mundet për të hequr të gjitha gjurmët e historisë osmane, qofshin ato hamame, xhami, medrese apo varreza, në të gjithë vendin dhe në Thrakinë Perëndimore”, tha Trampa, i cili u bë myftiu i rajonit këtë shtator.
Në deklaratën e saj të marsit për varrezën në Horozlu, Ministria e Jashtme turke e quajti shkatërrimin e saj “akt çnjerëzor”.
“Përpara Greqisë u realizuan demarshe të nevojshme në lidhje me këtë akt çnjerëzor, pasi rezulton të jetë kryer me direktivat e kryetarit të Bashkisë Bulustra (Avdira)”, thuhej në deklaratë.
“Ne presim që autoritetet greke, të cilat iu përgjigjën pozitivisht demarsheve tona, të tregojnë ndjeshmërinë e nevojshme për të përfunduar hetimin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të rikthyer varrezën në gjendjen e mëparshme”, kishte deklaruar Ministria turke.