Turqia, në rajonin e tërmeteve pritet të dalin 100 milionë tonë rrënoja

“Duke marrë parasysh se 61.722 ndërtesa që janë deklaruar së fundmi për t’u shembur, do të ketë 89 milionë tonë mbeturina. Bashkë me ndërtesat e shembura do të dalin 100 milionë tonë rrënoja”

Ekspertët e shembjeve parashikojnë se sipas shifrave të njoftuara së fundmi, do të arrijë në 100 milionë tonë sasia e mbeturinave të rrënojave që do të dalin nga ndërtesat e shkatërruara ose që do të prishen në tërmetet që prekën 11 provinca të Türkiyes, raporton Anadolu.

Në zonën e tërmeteve, teksa në njërën anë kryhen punime për përcaktimin e dëmeve, nga ana tjetër kryhen punimet për largimin e mbetjeve të rrënojave.

Ish-kreu i Shoqatës së Kontraktorëve të Shembjeve, si dhe Kreu i Bordit Drejtues të kompanisë për Shërbimet e Shembjeve dhe Ndërtimit MAB Destroy, Mehmet Ali Bulut, në vlerësimin e tij për AA në lidhje me procesin e heqjes së mbeturinave, deklaroi se në Türkiye janë 480 kompani që kanë certifikatën e “kontraktorit për shembje” dhe se arrin në 2 mijë numri i kompanive të cilave nuk u janë miratuar ende certifikatat, që nuk kanë aplikuar ose kompani të cilat kryejnë punime të ngjashme.

Duke vënë në dukje se numri i ndërtesave që do të prishen në rajonin e tërmetit është shumë i lartë dhe se sektori do të ketë vështirësi t‘i arrijë këto, Bulut tha: “Aktualisht, nuk duket e mundur që kontraktorët e shembjes në Türkiye t’i prishin me shpejtësi këto ndërtesa me metodat konvencionale. Shembja e këtyre ndërtesave mund të zgjasë deri në 2 vjet. Procesi këtu mund të jetë shumë më i shpejtë me shembjen me eksploziv, por në këto zona nuk kemi as shumë inxhinierë eksplozivësh. Nuk kemi mundur ta zhvillojmë shumë këtë fushë në Türkiye. Duhet të vihet në përdorim shembja me eksplozivë dhe duhet të trajnojmë inxhinierë eksplozivësh”.

 “Rrënojat mund të përdoren në riparimin e rrugëve të dëmtuara”

Bulut paralajmëroi edhe në lidhje me procesin e shembjeve dhe tha se gjatë prishjes duhet të jenë patjetër të pranishëm ekspertët e sigurisë së punës.

“Nuk duhet të shkaktohen viktima të reja. Në ndërtesat e vjetra ka materiale asbesti kancerogjene në klasën e materialeve të rrezikshme. Specialistët e heqjes së asbestit duhet të bëjnë kontrolle në terren dhe t’i shënojnë këto. Këto zona duhen çmontuar nga ekspertët. Rendi i qarkullimit duhet të formulohet mirë për transportimin në mënyrë të lehtë të mbeturinave në fjalë. Është shume e rëndësishme të bëhet vlerësimi se si të riciklohen këto mbeturina në mënyrë që të jenë të dobishme. Pjesë e mbeturinave mund te thyhen ne makineritë për copëtimin e gurit, te cilat ne e quajmë ‘thërmues’ (konkasor), për të bërë material të stabilizuar dhe për t’u përdorur në riparimin dhe mbushjen e rrugëve të dëmtuara”, tha ai.

Duke theksuar se brenda materialit që do dalë pas prishjes së ndërtesave ka skrap hekuri, i cili do të riciklohet në ekonomi Bulut tha: “Edhe këto duhet të kalojnë në një sitë për riciklim. As edhe 1 gram hekur nuk duhet të shkojë dëm, duhet të kthehen në ekonominë e vendit si të ardhura. Duke marrë parasysh 61.722 ndërtesa që janë deklaruar së fundmi për t’u shembur, do të ketë 89 milionë tonë mbeturina. Bashkë me ndërtesat e shembura do të dalin 100 milionë tonë rrënoja. Skrapi i hekurit të çelikut për të do të merret nga të gjitha ndërtesat e shembura dhe të dëmtuara rëndë do të jetë 1 milion e 750 mijë tonë. Kontributi i mbetjeve të hekurit që do të rikuperohen nga mbeturinat në riciklim do të arrijë në 6 miliardë e 600 milionë lira. Kjo vlerë do t’i shtohet ekonomisë. Nga rajoni do të dalin rrënoja sa për të mbushur 660 stadiume”.

– “Në çdo qytet duhet të përcaktohet pika të ndryshme të grumbullimit të rrënojave”

Edhe lektori i Departamentit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Teknik të Stambollit (ITU), Prof. Dr. Levent Trabzon, ka deklaruar se duhet të ndahen metalet nga mbeturinat që do të hiqen nga terreni dhe se mbeturinat e tjera duhet të copëtohen.

“Materialet në rrënoja duhet të klasifikohen dhe rrënojat duhet të zvogëlohen në vëllim. Duhet të merren masat e nevojshme në vendin ku do të trensportohen mbeturinat dhe duhet të merren masa që ato të mos përzihen me ujërat nëntokësore, të mos vendosen në toka bujqësore dhe të mos depozitohen në zona ku ato mund të shkaktojnë ndotje mjedisore. Gjatë heqjes së rrënojave nuk duhet të krijohet problem i cili mund të shkaktojë një fatkeqësi të dytë. Këtyre duhet t‘u kushtohet kujdes. Hekurat brenda rrënojave duhet të rifitohen në industri dhe betoni duhet të jetë material mbushës. Mbetjet organike brenda rrënojave duhet të ndahen”, u shpreh Prof. Dr. Levent Trabzon.

Pasi bëri të ditur se për çdo qytet duhet të përcaktohen pika të ndryshme të grumbullimit të rrënojave, Trabzon shtoi se “Rrënojat në këto zona nuk duhet të depozitohen në mënyrën e derdhjes. Rrënojat nuk duhet të hidhen në bregun e detit”.

Kategoritë
BotaLajme