Turqia dhe Britania nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin mbi avionët “Eurofighter Typhoon”

“Ky dokument kodifikon marrëdhëniet midis vendeve, duke i çuar ato një hap më afër një marrëveshjeje të plotë për ‘Typhoon'”, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë

Ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, dhe Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, nënshkruan sot një memorandum të plotë mirëkuptimi (MoU) mbi pranimin e Turqisë si operator i avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”, transmeton Anadolu.

Memorandumi u nënshkrua gjatë Panairit të 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) në Stamboll, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë.

“Ministrat e Mbrojtjes kanë nënshkruar sot së bashku një Memorandum Mirëkuptimi. Ky dokument kodifikon marrëdhëniet midis vendeve, duke i çuar ato një hap më afër një marrëveshjeje të plotë për ‘Typhoon’. Të dy ministrat e mirëpresin nënshkrimin si një hap pozitiv drejt sjelljes së Turqisë në klubin ‘Typhoon’ dhe ndajnë një ambicie të ndërsjellë për të përfunduar marrëveshjet e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministria në një deklaratë.

“Ministria e Mbrojtjes i Republikës së Turqisë dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar mirëpritën mundësinë për t’u takuar në Panairin e 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes në Stamboll sot dhe riafirmuan forcën e partneritetit Turqi-Mbretëri e Bashkuar”, theksohet më tej.

“Ata nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të gjatë të mbrojtjes midis dy vendeve, duke përfshirë bashkëpunimin përmes NATO-s dhe lidhjet në rritje në industrinë e mbrojtjes dhe siguri. Të dy ministrat u zotuan për thellimin e këtij partneriteti strategjik në mbështetje të parandalimit kolektiv të Aleancës”, tha ministria.

“Të dy vendet vazhdojnë të bëjnë përparim të shkëlqyer në eksportin e ‘Eurofighter Typhoon’. Mirëpritja e Turqisë si operator i ‘Typhoon’ do të avancojë lidhjet e miqësisë të zhvilluara gjatë shumë dekadave midis aleatëve kryesorë të NATO-s dhe do të jetë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të aftësive të përparuara ajrore luftarake të Turqisë”, thuhet në deklaratë.

“Kjo do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin Turqi-Mbretëri e Bashkuar, duke punuar së bashku për të forcuar bashkëpunimin në aftësi dhe duke mbështetur industritë e mbrojtjes të të dy vendeve përmes blerjes reciproke të pajisjeve kryesore në botë”, shtoi Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare.

Kategoritë
BotaLajme