Turqia dënon sulmin ajror të Izraelit kundër Iranit

– “Sulmi ka shkelur qartë ligjin ndërkombëtar dhe është një provokim që i shërben politikës së Izraelit për destabilizim në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë dënon në mënyrën më të fuqishme sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit.

Ministria e Punëve të Jashtme bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit.

“Ne i dënojmë sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit në mënyrën më të fuqishme. Sulmi ka shkelur qartë ligjin ndërkombëtar dhe është një provokim që i shërben politikës së Izraelit për destabilizim në rajon”, thuhet në deklaratë.

MPJ turke tha se kryerja e sulmeve në një kohë kur negociatat mbi programin bërthamor të Iranit po intensifikoheshin tregon se qeveria (e kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu nuk dëshiron që asnjë çështje të zgjidhej me mjete diplomatike dhe se nuk u përmbajt nga rrezikimi i stabilitetit rajonal dhe paqes globale në përputhje me interesat e veta.

Më tej nënvizohet se Izraeli duhet të ndërpresë menjëherë veprimet e tij agresive që mund të çojnë në konflikte më të mëdha.

“Ne përsërisim se nuk duam të shohim më shumë gjak dhe shkatërrim në Lindjen e Mesme. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime urgjente për të parandaluar përhapjen e luftës”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke.

Kategoritë
BotaLajme