Turqia, 9 vende nga Liga Arabe dhe OBI dënojnë votimin e Izraelit që mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor

– Turqia, Bahreini, Egjipti, Indonezia, Jordania, Nigeria, Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e konsiderojnë këtë veprim si “shkelje të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare”

Turqia, së bashku me 9 vende të tjera të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), dënuan fuqishëm miratimin nga parlamenti izraelit (Knesset) të të ashtuquajturit “sovranitet izraelit” mbi Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme e Turqisë në një deklaratë tha se palët, përfshirë Bahreinin, Egjiptin, Indonezinë, Jordaninë, Nigerinë, Palestinën, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e konsiderojnë deklaratën “shkelje të hapur dhe të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

Gjithashtu thuhet se deklarata e Izraelit shkel në mënyrë flagrante rezolutat kryesore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 242 (1967), 338 (1973) dhe 2334 (2016), të cilat hedhin poshtë të gjitha masat që legjitimojnë pushtimin, duke përfshirë vendbanimet në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967.

Ministria tha se palët “riafirmojnë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Territorin e Pushtuar Palestinez”, duke theksuar se ky veprim i njëanshëm izraelit nuk ka efekt ligjor dhe nuk mund të ndryshojë statusin ligjor të Territorit të Pushtuar Palestinez, veçanërisht Kudsin Lindor, i cili mbetet një pjesë integrale e tij.

Deklarata theksoi gjithashtu se veprime të tilla të Izraelit “vetëm sa nxisin tensionin në rritje në rajon”, i cili është përkeqësuar nga agresioni izraelit në Rripin e Gazës dhe katastrofa humanitare në Rrip.

Palët i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit dhe të gjithë aktorëve përkatës, të mbajnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe morale, shtoi deklarata.

Ministria bëri thirrje për t’i dhënë fund “politikave të paligjshme të Izraelit që synojnë të imponojnë një fakt të kryer me forcë”, duke minuar perspektivat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe perspektivat e zgjidhjes me dy shtete.

Kategoritë
BotaLajme