Dy persona kanë humbur jetën në Izmir të Turqisë si pasojë e një goditjeje elektrike, ndërsa banorët e zonës fajësojnë kompaninë elektrike dhe bashkinë se prej vitesh nuk kanë riparuar telat e zbuluara të kanalizimeve në këtë pjesë të rrugës.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Enver Dündar Başara në lagjen Konak ku normalisht kalojnë mijëra njerëz.
Özge Ceren Deniz dhe İnanç Öktemay humbën jetën kur u goditën nga rryma teksa përpiqeshin të kalonin rrugën gjatë shiut të dendur. Në pamjet e kamerave të sigurisë që u shfaqën në momentin e incidentit, Özge Ceren Deniz mund të shihej duke u përplasur mbi një kanal kanalizim ndërsa përpiqej të kalonte rrugën dhe İnanç Öktemay u godit nga rryma ndërsa përpiqej të ndihmonte.
Në video shihet sesi Deniz është “tronditur” nga rryma dhe pak sekonda më pas e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Öktemaya.
Vendasit dhe tregtarët fajësuan kompaninë e energjisë elektrike dhe bashkinë për këtë përfundim tragjik, sepse prej vitesh nuk kishin riparuar telat e zbuluara në kanalizimet e rrugëve.
İsa Yaman është një nga dëshmitarët. Siç tha ai, telat elektrikë qëndrojnë në këtë vend për gjashtë vjet.
“Më ra dy herë rryma… Sa vite kam që i paralajmëroj”, kujton ai.
Ahmet Güner tha për DHA se ai punon si tregtar dhe se këto tela kanë vite të tëra të pa riparuara.
“Para disa muajsh, në një ditë me shi, pashë ujin duke vluar në një pellg për shkak të një rrjedhjeje elektrike, erdhën dhe ndërhynë në atë moment, por mesa kuptoj problemi nuk është zgjidhur”, ka shpjeguar ai.
Ndërkohë, u mësua se gazeta lokale Ege Telgraf paralajmëroi për ujërat e zeza dhe telat e ekspozuar në rrugë në vitin 2019 në një reportazh të titulluar “A duhet të vdesë dikush për një zgjidhje?”
“Rrezik vdekjeprurës paraqesin kabllot elektrike nëntokë… Për shkak të rrjedhjes së energjisë elektrike në një sipërfaqe prej një metër e gjysmë, (trotuari) është vazhdimisht i nxehtë. Dyshohet se mund të ketë edhe humbje jetësh. Tregtarët u ankuan për indiferencën e autoriteteve duke u goditur nga rryma elektrike, duke thënë se këtu ka kohë që rrjedh rryma dhe për shkak të saj ka ngordhur një qen endacak.
Kreu i Dhomës së Inxhinierëve Elektrikë, Mahir Ulutaş, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ka pasur një defekt izolimi në telat ku ndodhi incidenti.
Në një deklaratë, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike GDZ tha se nuk mban përgjegjësi për këto ujëra të zeza.
Prokuroria e Izmirit ka nisur hetimet për ngjarjen dhe do të hapen kanalizimet në zonë për të zbardhur shkakun e rrjedhjes së energjisë elektrike.