Shtetasi irakian Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi u arrestua në Turqi dhe iu dorëzua FBI-së amerikane, pas së cilës u paraqit para një gjykate federale në New York për gjashtë akuza për terrorizëm.
Al-Saadi, komandant 32-vjeçar i lidhur me Kataib Hezbollah, u paraqit të premten para gjykatës federale në Manhattan, ku akuzohet për planifikimin dhe drejtimin e një serie sulmesh ndaj komuniteteve hebraike dhe interesave amerikane në Evropë, si dhe përgatitjen e sulmeve ndaj një sinagoge në New York dhe qendrave hebraike në Los Angeles dhe Scottsdale. Gjykata vendosi paraburgim deri në fillimin e gjykimit.
Sipas prokurorisë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij nga 9 marsi 2026 kishin planifikuar, koordinuar dhe marrë përgjegjësinë për të paktën 18 sulme në Evropë dhe dy në Kanada, duke vepruar në emër të Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya, grup që autoritetet amerikane e lidhin me Kataib Hezbollahun. Objektivat përfshinin sinagoga, një shkollë hebraike në Amsterdam, automjete të ndihmës së shpejtë në Londër dhe objekte të lidhura me interesat amerikane në disa qytete evropiane.
Hetuesit pretendojnë se në prill ai u përpoq t’i zgjeronte operacionet edhe në territorin e SHBA-së. Në bisedat e regjistruara nga autoritetet amerikane, ai dyshohet se kishte kërkuar ndihmë për sulme ndaj sinagogave dhe “qendrave sioniste”, ishte interesuar për çmimin e angazhimit të një personi për një sulm me bombë dhe kishte dërguar fotografi dhe harta të objektivave në New York, Los Angeles dhe Scottsdale. Për sulmet e planifikuara kishte pranuar të paguante 10 mijë dollarë në kriptovaluta, me një parapagim prej 3 mijë dollarësh.
Avokati i tij, Andrew Dalack, deklaroi para gjykatës se klienti i tij e konsideron veten “të burgosur politik dhe rob lufte dhe se duhet të trajtohet si i tillë”.
Nga ana tjetër, komisionerja e policisë së New Yorkut, Jessica Tisch, tha se sulmi nuk ndodhi sepse i akuzuari në fakt kishte komunikuar me një agjent të infiltruar të organeve të zbatimit të ligjit.
Prokurorët amerikanë gjithashtu pretendojnë se al-Saadi kishte bashkëpunuar ngushtë me komandantin iranian Qasem Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, të cilët u vranë në një sulm amerikan në vitin 2020.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm.










