Turistëve në SHBA së shpejti mund t’u kërkohet garanci prej të paktën 5.000 dollarësh për vizë

Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë depozitimin e një garancie prej deri në 15.000 dollarësh për disa viza turistike dhe biznesi, në kuadër të një programi pilot që nis pas dy javësh, me synim frenimin e vizitorëve që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit.

Programi u jep zyrtarëve konsullorë amerikanë të drejtën diskrecionale për të vendosur këtë garanci për vizitorët nga vende me shkallë të lartë të tejkalimit të vizave, ose nga vende ku vlerësohet se kontrollet e sigurisë janë të pamjaftueshme.

Duke filluar nga 20 gushti, programi do të zgjasë rreth një vit. Zyrtarët do të mund të zgjedhin shumën e garancisë nga tre nivele – 5.000, 10.000 ose 15.000 dollarë – por pritet që në shumicën e rasteve të kërkohet të paktën 10.000 dollarë. Shuma do t’u kthehet udhëtarëve nëse largohen nga SHBA në përputhje me kushtet e vizës.

Një program i ngjashëm u shpall në nëntor 2020 gjatë muajve të fundit të mandatit të parë të Donald Trump, por nuk u zbatua plotësisht për shkak të rënies së udhëtimeve ndërkombëtare gjatë pandemisë.

Portparoli i Departamentit të Shtetit tha se vendet do të përzgjidhen bazuar në:

  • norma të larta të tejkalimit të vizave,
  • mangësi në kontrollin dhe mbikëqyrjen e sigurisë,
  • shqetësime mbi marrjen e shtetësisë përmes investimeve pa kërkesë për banim,
  • dhe konsiderata të politikës së jashtme.

Departamenti nuk dha një vlerësim të saktë për numrin e aplikuesve që mund të preken, por Shoqata Amerikane e Udhëtimeve parashikon që programi do të ketë një ndikim të kufizuar – rreth 2.000 aplikues, kryesisht nga disa vende me volum të ulët udhëtimesh drejt SHBA-së.

Shumë nga vendet e përfshira më herët në ndalimin e udhëtimit të vendosur nga Trump kanë gjithashtu norma të larta të tejkalimit të vizave, si Çadi, Eritrea, Haiti, Mianmari dhe Jemeni. Po ashtu, vende të tjera afrikane si Burundi, Xhibuti dhe Togo raportohen me shifra të larta të tejkalimeve, sipas të dhënave të vitit fiskal 2023 të Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së.

Një dispozitë e përfshirë në paketën e shpenzimeve të miratuar nga Kongresi amerikan në korrik parashikon edhe një “tarifë integriteti vize” prej 250 dollarësh për çdo person që merr vizë jo-emigrimi. Kjo tarifë, që hyn në fuqi më 1 tetor, mund të rimbursohet nëse mbajtësi i vizës respekton rregullat e saj.

Kategoritë
BotaLajme