Ekipet kanë arritur të shpëtojnë 152 persona që ranë në det nga skafet që po fundoseshin dhe janë gjetur trupat e tre personave, prej të cilëve dy foshnja.
Si pasojë e fundosjes së tri skafeve me emigrantë të parregullt që tentonin të kalonin në Evropë, tre persona humbën jetën në bregdetin jugor të Tunizisë, mes të cilëve dy foshnja, kurse 12 rezultojnë të zhdukur.
Fevzi al-Mesmoudi, zëdhënës i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin jugor të Tunizisë, Sfax, për mediat lokale tha se tri skafe me emigrantë të parregullt janë fundosur në 48 orët e fundit në Sfax.
Ai bëri të ditur se kanë arritur të shpëtojnë 152 njerëz që ranë në det nga skafet që po fundoseshin. Al-Mesmoudi tha se kanë gjetur trupat e tre personave, duke përfshirë dy foshnja, dhe se janë duke vazhduar kërkimet për 12 personat e zhdukur.
Trupat e pajetë të 210 emigrantëve të parregullt janë gjetur në Tunizi, varkat e të cilëve u përmbysën, gjatë përpjekjeve të shtuara për migrim ilegal në prill.
Çdo vit, mijëra emigrantë të parregullt afrikanë vijnë në Tunizi, nga ku marrin rrugëtimin e rrezikshëm drejt Evropës përtej Mesdheut me shpresën për një jetë më të mirë.
Disa emigrantë nga vendet e Afrikës Sub-Sahariane, të cilët kanë jetuar prej vitesh në lagjet e emigrantëve në Tunizi, ia dalin të arrijnë në Evropë, ndërsa të tjerët vdesin në det.
