Trump “tashmë nuk është më i sigurt” për arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin

– Trump tha se pala iraniane nuk ka treguar të njëjtin entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje. “Diçka u ndodhi atyre. Nuk e di”, tha presidenti amerikan

ANKARA (AA) – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se është “më pak i sigurt” sesa disa muaj më parë se do të arrihet një marrëveshje bërthamore me Iranin, transmeton Anadolu.

Trump foli për çështjet aktuale në një intervistë për gazetën “New York Post”.

Pas njoftimit se bisedimet, të cilat u ndërprenë përkohësisht për shkak të këmbënguljes së SHBA-së që Irani të ndalojë plotësisht aktivitetet e pasurimit të uraniumit, do të rifillonin në Oman më 15 qershor, Trump ka mbrojtur idenë se Teherani “duket se po vonon” arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.

Trump tha se pala iraniane nuk ka treguar të njëjtin entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje. “Diçka u ndodhi atyre. Nuk e di”, tha presidenti amerikan.

Duke shprehur se ka dyshime për çështjen që Irani të pranojë të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, Trump tha: “Jam më pak i sigurt sesa isha disa muaj më parë”.

“Edhe nëse nuk arrihet marrëveshje, Iranit nuk do t’i lejohet të pajiset me armë bërthamore. Por, do të ishte më mirë ta bënim këtë pa luftuar, pa vdekur njerëz”, tha ai.

Trump vuri në dukje se pala iraniane nuk ka treguar të njëjtin entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje dhe ndau mendimin e tij duke thënë: “Mendoj se do të bëjnë gabim, por do ta shohim. Mendoj se koha do të na tregojë”.

Ai hodhi poshtë pretendimet se Kina ka luajtur rol në ngurrimin e palës iraniane për të arritur marrëveshje. “Ndoshta ata nuk duan të bëjnë një marrëveshje”, shtoi Trump.

– “Mund të arrij marrëveshje me Muskun”

Trump bëri gjithashtu një deklaratë në lidhje me Elon Muskun, biznesmenin dhe ish-këshilltarin e lartë me të cilin u grind për shkak të kritikave të tij të ashpra për projektligjin e uljes së taksave.

Ai tha se nuk ka ndjenja të këqija ndaj Muskut dhe se thjesht ishte i befasuar nga debati midis tyre. “Jam i zhgënjyer. Por, ndodhi. Këto gjëra ndodhin. Nuk e fajësoj për asgjë”, potencoi Trump.

Kur u pyet nëse do të arrijë apo jo marrëveshje me Muskun pas debatit midis tyre, Trump tha: “Mendoj se mund ta bëj”.

Kategoritë
BotaLajme