Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot ka sulmuar demokratët dhe mbështetësit e tij të mëparshëm në një deklaratë ku i akuzon për përhapjen e “një mashtrimi tjetër”, këtë herë të lidhur me rastin e pedofilit Jeffrey Epstein.
Njoftimi i administratës Trump se ish-miliardieri dhe i dënuar për krime seksuale, Epstein, nuk kishte “një listë klientësh”, ka zemëruar më të përkushtuarit nga mbështetësit e tij.
“Demokratët radikalë të majtë sërish kanë përfituar nga rasti! Ashtu si me dosjen e rreme dhe plotësisht të diskredituar të Steele-it, me 51 ‘agjentët e inteligjencës’ që gënjyen, me laptopin nga ferri, për të cilin demokratët pretendonin se vinte nga Rusia (jo, ai vinte nga banja e Hunter Bidenit!), e madje edhe me aferën ‘Rusia, Rusia, Rusia’ – një histori plotësisht e rreme dhe e trilluar që shërbeu për të mbuluar humbjen e madhe zgjedhore të Hillary Clintonit së korruptuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 – të gjitha këto mashtrime dhe manipulime janë e vetmja gjë që dinë të bëjnë demokratët”, shkroi fillimisht Trump në Trush Social.“Kjo është gjithçka që ata kanë – nuk janë të zotët në qeverisje, nuk janë të zotët në politikë, dhe nuk dinë të zgjedhin kandidatë fitues. Gjithashtu, ndryshe nga republikanët, ata qëndrojnë të bashkuar. Mashtrimi i tyre i ri është ajo që do ta quajmë gjithmonë mashtrimi i Epsteinit, dhe mbështetësit e mi të mëparshëm kanë besuar në atë ‘marrëzi’ deri në fund. Nuk kanë mësuar asgjë, dhe ndoshta kurrë nuk do të mësojnë, edhe pas 8 vitesh që janë mashtruar nga e majta e çmendur. Unë kam arritur më shumë brenda 6 muajve sesa ndoshta çdo president tjetër në historinë e vendit tonë, dhe e vetmja gjë për të cilën këta njerëz duan të flasin – me shtytjen e fortë të mediave të rreme dhe demokratëve të dëshpëruar për sukses – është mashtrimi i Epsteinit”, shtoi ai.Në përfundim të deklaratës së tij, Trump i quajti ish-mbështetësit “të dobët” dhe tha se ata po i bëjnë shërbim demokratëve. Ai shtoi se nuk dëshiron më mbështetjen e tyre dhe i akuzoi se po shpërfillin arritjet e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë të administratës së tij. Mesazh i tij u mbyll me një thirrje për rikthimin e madhështisë së Amerikës.
Trump në deklaratë përmend disa afera, ndër të cilat është edhe Dosja Steele, një raport që trajtonte lidhjet e supozuara mes tij dhe Rusisë, i cili më vonë u bë bazë për hetime të mëtejshme gjatë dhe pas fushatës presidenciale të vitit 2016.
Ai përmend gjithashtu një letër të nënshkruar nga 51 ish-zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane, në të cilën nënshkruesit sugjeronin se afera me laptopin e Hunter Bidenit, të cilin Trump e quan “laptopi nga ferri”, ishte pjesë e një fushate dezinformimi të sponsorizuar nga Rusia.
“Afera Rusia, Rusia, Rusia” i referohet dyshimeve për një komplot mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, si dhe hetimeve që pasuan mbi këtë çështje.
Javën e kaluar, FBI njoftoi se lista e klientëve të Epstein nuk ekzistonte, muaj pasi Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi pretendoi se një kopje e listës ndodhej në tavolinën e saj.
Për vite me radhë, Trump i siguroi mbështetësit e tij se do të publikonte “listën e klientëve” të supozuar të Epstein, e cila dyshohet se përfshin personazhe të famshëm dhe politikanë të profilit të lartë.
Tani mbështetësit e tij janë të indinjuar – aq shumë saqë po djegin edhe kapelat e kuqe “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri” – pasi administrata duket se i ka shkelur premtimet e saj.