Presidenti amerikan Donald Trump është deklaruar lidhur me sulmin e Izraelit ndaj objekteve bërthamore në Iran dhe ndaj kryeqytetit Teheran, duke theksuar se ka qenë i informuar paraprakisht për gjithçka.
Në një deklaratë për Fox News, Trump tha se Iranit nuk duhet t’i lejohet të ketë një bombë bërthamore.
“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe shpresojmë të rikthehemi në tryezën e negociatave. Do të shohim. Ka disa persona në udhëheqjen iraniane që nuk do të kthehen më,” tha Trump, duke aluduar se Izraeli ka vrarë disa gjeneralë dhe shkencëtarë të lartë.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë ditëve të fundit ka folur shpesh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Jemi të gatshëm të mbrojmë veten dhe Izraelin nëse Irani vendos të kundërpërgjigjet. Komanda Qendrore është në gjendje të lartë gatishmërie,” deklaroi ai.
Kujtojmë se ajatollah Ali Khamenei ka paralajmëruar hakmarrje ndaj Izraelit për shkak të sulmit.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka imponuar vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm – dhe me siguri do ta përjetojë atë,” deklaroi Khamenei.