Trump pretendon se marina amerikane humbi helikopterin dhe avionin luftarak “për shkak të karburantit të keq”

Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se karburanti me cilësi të dobët mund të ketë qenë faktori vendimtar në humbjen e helikopterit MH-60R Seahawk dhe avionit luftarak F/A-18F Super Hornet në Detin e Kinës Jugore.

Sipas tij, hetimi duhet ende të përcaktojë rrethanat e plota të aksidentit, megjithatë karburanti i ndotur ose i përzier keq mund të ketë luajtur rol të madh.
“Do të më informojnë së shpejti. Mendoj se duhet të jenë në gjendje ta zbulojnë. Mund të ketë qenë karburant i keq. Dua të them, është e mundur që të ketë qenë karburant i keq. Është shumë e pazakontë që një gjë e tillë të ndodhë,” tha Trump.

Flota Amerikane e Paqësorit (PACFLEET), e cila mbikëqyr operacionet detare në rajonin e Detit të Kinës Jugore, refuzoi të komentojë deklaratat e Trumpit lidhur me rrëzimin e avionëve.

Dy incidente të ndara

Në interval prej vetëm 30 minutash, SHBA humbi një avion dhe një helikopter në Detin e Kinës Jugore.

Marina njoftoi në rrjetet sociale se helikopteri MH-60R Seahawk u rrëzua rreth orës 14:45 me orën lokale “gjatë kryerjes së operacioneve rutinë nga aeroplanmbajtësja USS Nimitz”. Ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë tre anëtarët e ekuipazhit, thuhet në njoftim.

Rreth 30 minuta më vonë, edhe avioni luftarak F/A-18F Super Hornet u rrëzua gjatë një operacioni rutinë nga e njëjta aeroplanmbajtëse. Të dy pilotët u katapultuan dhe u shpëtuan me sukses, konfirmoi marina.

Aeroplanmbajtësja USS Nimitz është më e vjetra në flotën detare amerikane dhe aktualisht ndodhet në udhëtimin e saj të fundit përpara planit për t’u tërhequr nga përdorimi vitin e ardhshëm.

Kategoritë
BotaLajme