Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka theksuar që lufta e Izraelit në Gaza duhet të përfundojë.
“Mendoj se brenda dy deri në tri javëve të ardhshme, do të keni një përfundim mjaft të mirë dhe efektiv”, u tha Trump gazetarëve të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Presidenti amerikan më parë ka premtuar një fund të luftës, por deklaratat e tij nuk janë materializuar në një armëpushim apo edhe në rrjedhën e lirë të ndihmës humanitare për një popullsi palestineze që vuan nën një bllokadë ndëshkuese izraelite.
Siç vë në pah Al Jazeera, administrata Trump ka furnizuar Izraelin me miliarda dollarë në armë dhe ka hedhur poshtë përpjekjet ndërkombëtare për të njohur një shtet palestinez.
“Duhet të mbarojë sepse midis urisë dhe të gjitha problemeve të tjera – më keq se uria – njerëzit po vriten”, tha Trump.
Kujtojmë se në shkurt, Trump sugjeroi largimin e të gjithë palestinezëve nga Gaza – një plan që u vlerësua se do të përbënte spastrim etnik, një krim kundër njerëzimit.