Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar polemika të reja gjatë një fjalimi në Zyrën Ovale dhe në bazën ushtarake Fort Bragg, ku ka bërë një sërë deklaratash të pasakta, përfshirë ngatërrimin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, pretendime të rreme për kontakt me guvernatorin e Kalifornisë dhe kërcënime ndaj protestuesve që bien ndesh me Kushtetutën e SHBA-ve.
Trump foli për një bisedë telefonike të fundit me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, duke pretenduar se ajo u zhvillua “një ditë më parë”, megjithëse, sipas një screenshot-i që vetë Trump e dërgoi në Fox News, telefonata ishte bërë të shtunën në mëngjes – më shumë se tre ditë më parë.
Shumë më tepër reagime kanë nxitur deklaratat e tij për luftërat botërore. Duke folur për përkujtimin e fitores në Luftën e Parë Botërore, Trump tha:
“Vendet e tjera së fundmi kanë festuar fitoren në Luftën e Parë Botërore – Franca e festoi, vërtet. Të gjithë festuan. I vetmi vend që nuk feston është SHBA, ndërkohë që ne ishim ata që fituam luftën. Pa ne, të gjithë sot do të flisnit gjermanisht. Ndoshta edhe pak japonisht,” deklaroi Trump.
Me këtë deklaratë, Trump i ngatërroi rolet e shteteve në luftërat e ndryshme – Gjermania dhe Japonia ishin aleate në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa Japonia ishte aleate e SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. Komenti për të folurit gjermanisht dhe japonisht i referohet qartë Luftës së Dytë Botërore, jo të Parës, duke treguar edhe një herë një kuptim të cekët të fakteve themelore historike.
Përveç kësaj, Trump u kërcënua me protestuesit që planifikonin të kundërshtonin paradën ushtarake të paralajmëruar për të shtunën:
“Nëse dikush vjen të protestojë, do të përballet me një forcë shumë të fortë. Për ata që duan të protestojnë – do të priten me një forcë shumë të fortë. Nuk kam dëgjuar se dikush po planifikon të protestojë, por e dini, këta janë njerëz që e urrejnë vendin tonë,” tha Trump.
Këto deklarata bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili garanton të drejtën e qytetarëve për liri fjale dhe tubim paqësor. Trump nuk bëri asnjë dallim mes protestuesve paqësorë dhe atyre të dhunshëm, gjë që ka shkaktuar shqetësim te juristët dhe mbrojtësit e të drejtave civile.
Deklaratat e ish-presidentit kanë ngritur sërish pyetje lidhur me nivelin e informimit të tij, por edhe me qëndrimin e tij ndaj parimeve demokratike bazë që garantohen nga Kushtetuta amerikane.