Trumpi tha se “shumë gjëra u përcaktuan” gjatë takimit të tij me presidentin Lee Jae Myung, por nuk tha se udhëheqësit arritën në një marrëveshje përfundimtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje e vështirë tregtare me Korenë e Jugut është “pothuajse e finalizuar” gjatë vizitës së tij në këtë vend të Azisë Lindore.
Trumpi tha se “shumë gjëra u përcaktuan” gjatë takimit të tij me presidentin Lee Jae Myung, por nuk tha se udhëheqësit arritën në një marrëveshje përfundimtare.
“Ne e bëmë marrëveshjen tonë, pothuajse të finalizuar, një marrëveshje tregtare. Dhe diskutuam disa gjëra të tjera”, u tha Trumpi gazetarëve gjatë një darke të liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) të organizuar nga presidenti Lee.
“Ne diskutuam disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare… Dhe, mendoj se arritëm një përfundim për shumë çështje shumë të rëndësishme”, shtoi ai.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent e hodhi poshtë se një marrëveshje mund të finalizohej gjatë vizitës së presidentit Trump. Të hënën, ai tha se teksa beson se palët janë “afër” arritjes së një marrëveshjeje, ka “shumë detaje për t’u përpunuar, një marrëveshje shumë e ndërlikuar”.
Megjithatë, Bessent tha se një “kornizë e përgjithshme” ishte përfunduar dhe nuk është e qartë nëse ky është modeli tregtar për të cilin Trumpi po i referohej kur iu adresua gazetarëve.
Trumpi ka kërkuar që Koreja e Jugut të angazhohet për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA. Raportet kanë sugjeruar se Koreja e Jugut në vend të kësaj preferon të ofrojë kredi ose garanci kredie në mënyrë që të mos ndikojë ndjeshëm në ekonominë e vendit.












