Trump: Kushdo që vret dikë në Washington, dënim me vdekje

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij do të kërkojë dënimin me vdekje në rastet e vrasjeve të kryera në kryeqytetin amerikan.

“Kushdo që vret dikë në kryeqytet, dënim me vdekje. Kryeqyteti, dënim me vdekje. Nëse dikush vret dikë në kryeqytetin Washington, ne do të kërkojmë dënim me vdekje,” tha presidenti në një takim me anëtarët e qeverisë, duke shtuar se kjo është një masë shumë e fortë parandaluese.

Trump shtoi se kjo masë do të zbatohet vetëm në Washington, ndërsa “shtetet federale do të duhet të vendosin vetë”.

Krizë dhe Garda Kombëtare në rrugët e kryeqytetit

Prej dy javësh, qindra pjesëtarë të Gardës Kombëtare patrullojnë rrugët e Washingtonit pasi Trump shpalli gjendje krize, duke thënë se qytetin e kishte pushtuar vala e krimit. Javën e kaluar, ministri i mbrojtjes Pete Hegseth autorizoi ushtarët që të mbajnë armë gjatë patrullimeve.

Njësia lokale e Gardës Kombëtare deklaroi se forca do të përdorej vetëm “në rast nevoje ekstreme dhe si përgjigje ndaj një kërcënimi të menjëhershëm me vdekje ose plagosje të rëndë”.

Synimi i radhës: Chicago dhe Baltimore

Trump gjithashtu paralajmëroi se programi për shtypjen e krimit mund të zgjerohet edhe në Chicago, dhe se mund të dërgojë Gardën Kombëtare edhe në Baltimore.

Megjithatë, demokratët kanë kundërshtuar ashpër këtë qasje. Kongresmeni Hakeem Jeffries tha për CNN:

“Nuk ka asnjë bazë dhe Donald Trump nuk ka kompetenca për të dërguar trupa federale në Chicago. Ky është një përpjekje për të fabrikuar një krizë.”

Të dhëna kontradiktore mbi kriminalitetin

Sipas Trumpit, Washingtoni është “i mbushur me krime”, por të dhënat zyrtare tregojnë se numri i tyre ka rënë. Trump tha se “tani nuk ka më krime në kryeqytet” falë vendimit të tij për të dërguar qindra ushtarë dhe agjentë federalë – deklaratë që nuk është mbështetur me prova.

Baza ligjore

Trump u mbështet në një dispozitë të Kapitulit 10 të Kodit Amerikan, që i lejon presidentit të dërgojë njësitë e Gardës Kombëtare për mbrojtje nga pushtimi, për shtypjen e kryengritjeve ose për të zbatuar ligjin. Pikërisht këtë nen e përdori kur dërgoi Gardën Kombëtare në Kaliforni për të shtypur protestat, pavarësisht kundërshtimit të guvernatorit Gavin Newsom.

Kategoritë
BotaLajme