Trump kërkon një strategji të re: “Nga ajo që pashë, fëmijët në Gaza duken jashtëzakonisht të uritur”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të hënën se i ka thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se lufta në Gaza kundër grupit militant Hamas duhet të zhvillohet ndryshe, pasi dështuan bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve javën e kaluar.

Trump u shpreh për gazetarët në fshatin e tij të golfit, Turnberry në Skoci, ku po priste kryeministrin britanik Keir Starmer. Ai tha se njerëzit në Gaza “duhet të marrin menjëherë ushqim dhe siguri”. Theksoi se për këtë çështje do të bisedojë me Starmerin.

Për pyetjen mbi situatën në Gaza, Trump u shpreh se, bazuar në pamjet televizive, “fëmijët duken shumë të uritur”.

Presidenti amerikan shtoi se prioriteti kryesor në Gaza në këtë moment është sigurimi i ushqimit për njerëzit, sepse “ka shumë të uritur”, duke shtuar se tani nuk dëshiron të marrë pozicion mbi çështjen e shtetësisë palestineze.

Duke folur pranë kryeministrit britanik Keir Starmer në Turnberry, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 60 milionë dollarë ndihma humanitare, dhe se edhe vendet e tjera duhet të bëjnë më shumë.

Ai u shpreh se këtë temë e ka diskutuar të dielën me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i ka thënë se vendet evropiane “do të rrisin ndihmën e tyre në mënyrë të konsiderueshme”. Shtoi se planifikon të diskutojë situatën humanitare edhe me Starmerin gjatë vizitës së tij.

“Ne po japim shumë para dhe shumë ushqim, dhe vendet e tjera tani po fillojnë të japin më tepër,” tha Trump. “Kjo është kaos. Ata duhet të marrin menjëherë ushqim dhe siguri.”

Starmer u pajtua, duke thënë: “Është një krizë humanitare, apo jo? Katastrofë absolute… Mendoj se njerëzit në Britani janë të tronditur nga ajo që po shohin në ekranet e tyre.”

Trump refuzoi të komentojë iniciativën e Presidentit francez Emmanuel Macron për mbështetje të shtetësisë palestineze.

Ai gjithashtu kritikoi Hamasin, sepse nuk pranoi të lirojë më shumë pengje, as të gjallë dhe as të vdekur, dhe tha se i ka thënë kryeministrit izraelit Netanyahu se Izraeli ndoshta do të duhet të ndryshojë qasjen.

“Isha i qartë me Bibi-n dhe i thashë se ndoshta do të duhet ta bëni këtë në një mënyrë tjetër,” tha Trump, duke përsëritur të njëjtat deklarata që kishte bërë edhe të dielën.

Kur u pyet nëse armëpushimi është ende i mundur, Trump u përgjigj: “Po, armëpushimi është i mundur, por ju duhet ta arrini atë, duhet ta përfundoni.”

Ai nuk sqaroi se çfarë kishte fjalë nën “duhet ta përfundoni”.

Kategoritë
BotaLajme