‘‘Trepça’’ propozon shlyerje të detyrimeve me këste: Për 70% të punonjësve s’ka rroga të prillit, rrezikohet edhe ajo e majit

Menaxhmenti i Trepçës, ka ftuar minatorët që të tërhiqen nga procedurat përmbarimore në lidhje me pagesat e detyrimeve për orët e vikendit, duke i bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje që do të shlyente këto detyrime përmes pagesave me këste, shkruan Gazeta Express.

Në postim thuhet se kjo do të bënte të mundur shmangien e shpenzimeve shtesë përmbarimore dhe të avokatëve.

‘‘Dëshirojmë t’ju rikujtojmë se aktualisht është e pamundur të sigurohet pagesa e rrogave për muajin prill 2025 për mbi 70% të punonjësve të Trepça Sh.A.. Po ashtu, ekziston rreziku që të mos mund të realizojmë në kohë pagesën e rrogave për muajin maj 2025, pasi sot kemi një ndalesë/urdhëresë përmbarimore mbi 200 mijë euro (për ore vikendi)’’, thuhet mes tjerash në postimin e Trepçës.

Postimi:

THIRRJE PËR ARRITJEN E MARRËVESHJEVE PËR PAGESË ME KËSTE

Të nderuar minatorë,

Menaxhmenti i Trepçës Sh.A., me mirëkuptim dhe respekt, ju bën thirrje që të tërhiqeni nga procedurat përmbarimore në lidhje me pagesat e detyrimeve për orët e vikendit. Në vend të kësaj, ju ftojmë të arrijmë një marrëveshje për shlyerjen e këtyre detyrimeve përmes pagesave me këste, në mënyrë që të shmangim shpenzimet shtesë përmbarimore dhe të avokatëve.

Dëshirojmë t’ju rikujtojmë se aktualisht është e pamundur të sigurohet pagesa e rrogave për muajin prill 2025 për mbi 70% të punonjësve të Trepça Sh.A.. Po ashtu, ekziston rreziku që të mos mund të realizojmë në kohë pagesën e rrogave për muajin maj 2025, pasi sot kemi një ndalesë/urdhëresë përmbarimore mbi 200 mijë euro (për ore vikendi).

Ne kemi bërë përpjekje maksimale që me përfaqësuesit e minatorëve të kemi mirëkuptim që e njëjtat të pezullohet vetëm për dy ditë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga e mërkura, të ketë mirëkuptim për shtyrjen për dy ditë që të ekzekutohen pagat e kolegëve të tyre dhe të vendoset përsëri urdhëresa përmbarimore që e njëjta të ekzekutohet pas dy ditësh.

Por kjo është e pamundur nëse nuk tregojmë mirëkuptim dhe nuk tërhiqemi nga këto procedura përmbarimore nga punonjësit tanë dhe të arrijmë marrëveshje.

Prandaj, edhe një herë, ju bëjmë thirrje për të treguar mirëkuptim dhe për të bashkëpunuar në arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët, që të sigurojmë stabilitetin e të ardhurave tuaja dhe të shmangim procedurat e vështira ligjore.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Kategoritë
LajmeVendi