Trajneri i Kanadasë, Marsch kërkon rrëzimin e Manchester Cityt nga Premier Liga për shkeljet financiare

Trajneri i Kanadasë, Marsch kërkon rrëzimin e Manchester Cityt nga Premier Liga për shkeljet financiare

Ish-trajneri i Leeds Unitedit, Jesse Marsch tha se gjatë kohës së tij në Angli vuri re mospërputhje ndërsa City mohon shkeljet dhe apelon vendimin e komisionit.

Trajneri i kombëtares së Kanadasë, Jesse Marsch ka kërkuar që Manchester City të rrëzohet nga Premier Liga pasi klubi u shpall fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare.

“Mendoj se Manchester City duhet të dënohet rëndë. Mendoj se duhet të rrëzohet”, tha Marsch për “The Guardian” në një intervistë të publikuar të dielën.

Marsch, i cili drejtoi Leeds Unitedin nga viti 2022 deri në vitin 2023, tha se dallimi financiar mes Cityt dhe klubeve që nuk kanë pronarë me pasuri të ngjashme ishte i dukshëm gjatë kohës së tij në Premier Ligë.

Trajneri amerikan iu referua merkatos së verës së vitit 2022, kur Leeds grumbulloi fonde të konsiderueshme duke shitur Raphinhan te Barcelona dhe Kalvin Phillipsin te City.

Marsch tha se Leeds raportoi se kishte fituar para gjatë asaj merkatoje, pasi të ardhurat nga shitjet e lojtarëve ishin më të larta se shpenzimet për transferimet e reja. Ai vuri në pikëpyetje se si City kishte raportuar fitim, pavarësisht pozicionit të tij të ndryshëm financiar dhe aktivitetit në merkato.

Ai shprehu skepticizëm lidhur me shumën prej 52 milionë paundësh (69 milionë dollarë) që City raportohet se i pagoi Borussia Dortmundit për transferimin e Erling Haalandit atë verë, duke thënë se besonte se kishte mospërputhje në operacionet financiare të klubit.

Leeds u rrëzua nga Premier Liga në fund të sezonit 2022-2023, megjithëse Marsch u shkarkua në shkurt 2023. Ky sezon ishte jashtë periudhës nëntëvjeçare të shqyrtuar në çështjen financiare kundër Cityt. Marsch theksoi se Evertoni dhe Nottingham Foresti më pas morën zbritje pikësh për shkelje financiare të lidhura me sezonin në të cilin Leeds u rrëzua nga Premier Liga.

Një komision i pavarur e shpalli Cityn fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregullave financiare të Premier Ligës gjatë periudhës nga sezoni 2009-2010 deri në sezonin 2017-2018.

Sipas Premier Ligës, komisioni konstatoi se City përdori kontrata dhe marrëveshje fiktive me karakter tregtar për të rritur artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot. Gjithashtu, komisioni arriti në përfundimin se klubi kishte paraqitur llogari me të dhëna të pasakta, kishte fshehur gjendjen reale të financave të tij dhe kishte tejkaluar kufijtë e shpenzimeve të Premier Ligës dhe UEFA-s.

U pranuan tri nga katër akuzat që lidhen me pretendimin se City nuk kishte bashkëpunuar plotësisht me hetimin e ligës. City ka mohuar vazhdimisht shkeljet dhe të enjten në mbrëmje paraqiti apel. Klubi tha se vendimi i komisionit përmbante “gabime të qarta thelbësore në aspektin ligjor, parimor dhe faktik” dhe këmbënguli se provat mbështesnin qëndrimin e tij.

Premier Liga tha se apeli iu dorëzua kryetarit të Panelit të saj Gjyqësor dhe do të shqyrtohet privatisht nga një Bord i Pavarur i Apelimit. Procedurat do të mbeten konfidenciale deri në publikimin e rezultatit, kur kjo të lejohet.

Deri më tani nuk është bërë i ditur asnjë dënim. Pasojat e mundshme sipas rregullave të Premier Ligës përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh dhe masa të tjera sportive ndërsa rrëzimi nga liga ose përjashtimi është përmendur ndër rezultatet e mundshme.

Federata Angleze e Futbollit tha të premten se gjetjet e komisionit kishin pasoja të rëndësishme për integritetin e futbollit dhe se po shqyrtonte nëse do të ishte e përshtatshme të ndërmerrte masa të mëtejshme.

Kategoritë
Sport
Reklamë: ABE Kosova