Avionët amerikanë F-16 kanë ndalur më 20 gusht, sipas njoftimit të Komandës së Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), një avion spiun rus pranë Alaskës.
Sipas deklaratës së NORAD-it, janë regjistruar dy incidente, më 20 dhe 21 gusht, ku si mjet fluturues rus është përmendur avioni për zbulim ajror dhe mbledhje të dhënash Il-20.
Më 20 gusht kjo e shtyu NORAD-in të dërgojë avionë F-16 për ta ndalur, së bashku me një avion KC-135 për furnizim me karburant në ajër.
Ditën tjetër, NORAD dërgoi përsëri dy F-16 dhe një KC-135, kësaj here bashkë me avionin komandues-kontrollues E-3 Sentry, për të ndalur, identifikuar vizualisht dhe ndjekur avionët rusë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës.
Edhe pse fluturimet e bombarduesve rusë Tu-95 pranë Alaskës janë mjaft të zakonshme që nga periudha e Luftës së Ftohtë, shfaqja e avionit Il-20 është më e rrallë dhe më e fshehtë, pasi ky avion është i pajisur me aparatura për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës elektronike.
Këto fluturime ndodhin më pak se një javë pasi presidenti Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan në bazën e përbashkët Elmendorf-Richardson në Alaskë, në një samit ku u diskutua se si të përfundojë lufta në Ukrainë.