TIKA ofron mbështetje për trajnimin e edukatorëve në Qendrën për arsim dhe rehabilitim të posaçëm në Prishtinë

Drejtori i Arsimit në Fondacionin SOBE, Alperen Sağdıç, i vlerësoi aktivitetet në qendrën në Kosovë duke thënë se si fondacion vazhdojnë të jenë pranë fëmijëve me nevoja të veçanta, familjeve të tyre dhe profesionistëve, kudo ku ata kanë nevojë.

Në Qendrën për Arsim dhe Rehabilitim të Posaçëm në Prishtinë, e ndërtuar dhe e pajisur nga Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), është nisur një program katërditor trajnimi teorik dhe praktik për edukatorët dhe terapistët e kësaj qendre, në bashkëpunim me Fondacionin për Edukimin e Personave me Autizëm të Komunës Selçuklu në Konya (SOBE), transmeton Anadolu.

Siç thuhet në njoftimin e TIKA-s për media, programi synon zhvillimin e njohurive dhe të aftësive të pjesëmarrësve dhe përfshin tema si diagnostikimi i personave me nevoja të veçanta, përgatitja e planeve individuale arsimore, metodat e menaxhimit të sjelljes dhe proceset e mbështetjes së familjes.

Trajnimet nuk do të kufizohen vetëm në transmetimin e njohurive, por do të përfshijnë gjithashtu edhe vlerësimin e sistemit aktual dhe identifikimin e nevojave në terren.

Në këtë qendër, që është qendra më e madhe dhe më e pajisur për arsim të posaçëm në Kosovë, ofrohen shërbime për rreth 250 persona me autizëm dhe me sindromën Down nga Shoqata e Autizmit dhe Shoqata e Sindromës Down të Kosovës.

Gjatë programit të hapjes së trajnimeve, koordinatorja e TIKA-s për Kosovën, Fulya Aslan tha se TIKA nuk u kufizua vetëm me ndërtimin e një objekti, por përpiqet ta mbështesë procesin edhe përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave.

“Në këtë kuadër, kemi nisur një tjetër program trajnimi të përshtatur për nevojat e edukatorëve që punojnë në këtë qendër. Planifikojmë që trajnimet të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim. Qëllimi ynë është të rrisim kompetencat e edukatorëve dhe të përmirësojmë më tej cilësinë e shërbimeve që ofrohen në qendër. Shpresojmë që kontributi ynë në fushën e arsimit të posaçëm në Kosovë të shërbejë si model jo vetëm në nivel lokal, por në gjithë Ballkanin”, tha Aslan.

Drejtori i Arsimit në Fondacionin SOBE, Alperen Sağdıç, i vlerësoi aktivitetet në qendrën në Kosovë duke thënë se si fondacion vazhdojnë të jenë pranë fëmijëve me nevoja të veçanta, familjeve të tyre dhe profesionistëve, kudo ku ata kanë nevojë.

“Në këtë projekt që kemi nisur në Kosovë në bashkëpunim me TIKA-n, jemi përballur me një qendër shembullore, me kushte fizike jashtëzakonisht të mira. Kjo qendër jo vetëm që është mbështetur nga TIKA, por është ndërtuar dhe pajisur tërësisht nga fillimi deri në fund. Është vërtet një strukturë që mund të shërbejë si shembull në nivel botëror”, tha ai.

Sağdıç shtoi se megjithatë, infrastrukturës së mirë i nevojitet staf i kualifikuar që ta shfrytëzojë atë në mënyrën e duhur që të mund të përfitojnë fëmijët.

Qëllimi i krijimit të kësaj qendre në Kosovë është të rritet arsimi dhe përfshirja në shoqëri e personave me nevoja të veçanta, duke iu përgjigjur jo vetëm nevojave të individëve, por edhe të familjeve dhe komunitetit.

Kategoritë
LajmeVendi