TIKA mbështet arsimimin e bletarëve të Kosovës

Në këtë trajnim, i cili u mbajt në kuadër të “Programit të Zhvillimit të Bletarisë së Qëndrueshme – Trajnimi për Lidhjen e Bletarëve të Kosovës”, u certifikuan rreth 70 pjesëmarrës

Ka përfunduar trajnimi treditor i “Kultivimit të Bletëve dhe Menaxhimit të Sëmundjeve dhe Dëmtuesve”, organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për bletarët në rrethin e Prishtinës, raporton Anadolu.

Në këtë trajnim, i cili u mbajt në kuadër të “Programit të Zhvillimit të Bletarisë së Qëndrueshme – Trajnimi për Lidhjen e Bletarëve të Kosovës”, u certifikuan rreth 70 pjesëmarrës.

Në ceremoninë e programit, që u organizua nga TIKA në bashkëpunim me Lidhjen e Bletarëve të Kosovës, morën pjesë koordinatorja e TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan, kryetari Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Sylejman Zogiani, drejtoresha për Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës, Donjeta Dragusha, si dhe instruktorë dhe bletarë.

Në fjalën e saj, Aslan tha se bletarët kosovarë kanë treguar interesim të madh për arsim. Ajo tha se edhe pse Kosova sipas statistikave ka kushte klimatike dhe florë shumë të bukur, këto mundësi nuk janë shfrytëzuar sa duhet.

“Qëllimi ynë ishte që me mbështetjen dhe trajnimet tona të sigurojmë shfrytëzimin më të mirë të këtyre mundësive, të plotësojmë çdo mangësi në njohuri dhe të rrisim sasinë dhe cilësinë e prodhimit të mjaltit. Shpresoj se do t’i arrijmë këto synime tani e tutje”, tha ajo.

Aslan shtoi se trajnime të ngjashme do të kenë edhe bletarët në rajonin e Pejës në ditët në vijim.

Zogiani gjithashtu theksoi se trajnimet, të cilat ai i cilësoi si “shumë produktive”, do të japin kontribut të madh për bletarët e Kosovës.

Trajnimi, i cili u mbajt në datat 20-22 shkurt, u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Drejtorinë e Institutit të Hulumtimit të Bletarisë në Ordu dhe Lidhjen e Bletarëve të Kosovës.

Kategoritë
BotaLajmeVendi