Thirrje e pazakontë nga kopshti zoologjik danez: Dhuroni kafshët shtëpiake të padëshiruara për të ushqyer grabitqarët tanë

Një kopsht zoologjik në veri të Danimarkës po u bën thirrje pronarëve të kafshëve shtëpiake që të dhurojnë zamorçët, lepujt, pulat, madje edhe kuajt e vegjël të padëshiruar — jo për t’i ekspozuar, por për t’i përdorur si ushqim për grabitqarët.

Kopshti zoologjik i Aalborgut publikoi në Facebook se po përpiqet të “imitojë zinxhirin natyror ushqimor të kafshëve”.

“Pulat, lepujt dhe zamorçët janë pjesë e rëndësishme e dietës së grabitqarëve tanë. Në këtë mënyrë asgjë nuk shpërdorohet, ndërsa ne sigurojmë sjellje natyrore, ushqim dhe mirëqenie për grabitqarët tanë,” thuhet në njoftim.

Në faqen e tyre zyrtare, kopshti zoologjik thekson se kafshët e dhuruara “do të eutanazohen me kujdes” nga stafi i trajnuar, përpara se të shërbehen si ushqim. Në këtë kopsht jetojnë grabitqarë mishngrënës si luani aziatik, rryshi evropian dhe tigri sumatran.

Ky apel publik ka shkaktuar debat në internet: disa e kundërshtojnë idenë që kafshët shtëpiake të kthehen në pre, ndërsa të tjerë e lavdërojnë përpjekjen për të ruajtur dietën natyrore të grabitqarëve.

Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik të Aalborgut, Pia Nielsen, ka deklaruar për The Guardian se kjo iniciativë ka ekzistuar prej vitesh dhe është praktikë e zakonshme në Danimarkë.

“Prej shumë vitesh, ne ushqejmë grabitqarët tanë me kafshë të vogla shtëpiake. Kur kujdesesh për mishngrënës, është e domosdoshme t’u sigurosh mish, mundësisht me gëzof dhe kocka, që të kenë një dietë sa më natyrale. Prandaj ka kuptim që kafshët që për arsye të ndryshme duhet të eutanazohen, të shfrytëzohen në këtë mënyrë. Në Danimarkë kjo është praktikë e zakonshme dhe shumë vizitorë e partnerë tanë e vlerësojnë mundësinë për të kontribuar. Kafshët që pranojmë si donacione janë pula, lepuj, zamorçë dhe kuaj,” tha Nielsen.

Nuk është hera e parë që kopshtet zoologjike në Danimarkë përballen me kritika për mënyrën se si ushqejnë kafshët ose menaxhojnë popullatat.

Kopshti zoologjik i Kopenhagës eutanazoi një gjirafë të re e të shëndetshme, me emrin Marius, për të shmangur çiftëzimin në gjak të afërt, pavarësisht një peticioni për ta ndaluar këtë veprim. Trupi i gjirafës u përdor pjesërisht për kërkime dhe pjesërisht për ushqimin e grabitqarëve si luanë, tigra dhe leopardë.

Disa javë më vonë, shpërtheu përsëri kritika publike kur kopshti zoologjik eutanazoi katër luanë, për t’i bërë vend një mashkulli të ri me shpresën e krijimit të një brezi të ri këlyshësh.

Kategoritë
BotaLajme